Haradinaj reagon: Protezat e invalidëve të luftës janë domosdoshmëri, jo luks
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.
Haradinaj e ka cilësuar të papranueshëm mosmiratimin e amendamentit, duke kritikuar qeverinë për, siç ka thënë, mungesë kujdesi ndaj kësaj kategorie.
“Është e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga kjo qeveri. Mosmbështetja e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës është e dhimbshme dhe dëshmi e mungesës së kujdesit nga ana e pushtetit ndaj kësaj kategorie të shenjtë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se protezat për invalidët e luftës nuk janë luks, por domosdoshmëri.
“Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë”, ka shkruar ai.



