Prokuroria dhe EULEX-i diskutojnë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

21 tetor 2026 | 16:04

Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimi i trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore kanë qenë në fokus të takimit ndërmjet përfaqësuesve të Prokurorisë së Shtetit dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje, Ersan Qavolli, është takuar me Sabine Dwinger, udhëheqëse tematike për dhunën në baza gjinore në kuadër të Njësisë së Monitorimit të EULEX-it.

Gjatë takimit, Qavolli e ka njoftuar përfaqësuesen e EULEX-it për prioritetet e Kryeprokurorit të Shtetit dhe përkushtimin e sistemit prokurorial për trajtimin me seriozitet dhe prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

Sipas njoftimit, palët kanë diskutuar për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe harmonizimit të praktikave të veprimit, me synim rritjen e efektivitetit të reagimit institucional ndaj këtyre rasteve.

Një tjetër çështje e trajtuar ka qenë rëndësia e mbështetjes profesionale dhe monitorimit të praktikave institucionale, si mekanizma për identifikimin e sfidave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të punës në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Në fund të takimit, është theksuar rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e praktikave profesionale, mbrojtjen e viktimave dhe rritjen e llogaridhënies institucionale në trajtimin e këtyre rasteve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Erling Haaland mund të largohet nga Manchester City në verën…