Tahiri me mesazh mirënjohjeje për Hamzën: Respekti im për ty do të mbetet gjithmonë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka shprehur publikisht respektin dhe mirënjohjen e tij për Bedri Hamzën, pas dorëheqjes së këtij të fundit nga posti i kryetarit të PDK-së.
Përmes një postimi në “Facebook”, Tahiri ka vlerësuar kontributin politik dhe institucional të Hamzës, si dhe mbështetjen që ai i ka ofruar ndër vite.
Tahiri ka theksuar se Hamza ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e PDK-së, duke dëshmuar profesionalizëm, maturi dhe aftësi udhëheqëse në përgjegjësitë e tij institucionale.
“Që nga vitet e hershme të angazhimit të tij, kryetari Bedri Hamza ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin, zhvillimin dhe forcimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Me profesionalizëm, maturi dhe përkushtim, ai ka dëshmuar përgjatë viteve aftësi në menaxhim dhe udhëheqje institucionale, duke mbajtur përgjegjësi të rëndësishme në shërbim të vendit”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
Tahiri ka vlerësuar veçanërisht besimin, mbështetjen dhe qasjen njerëzore të Hamzës ndaj bashkëpunëtorëve, duke theksuar se këto janë vlera që i çmon thellësisht.
“Tek ai kam vlerësuar gjithmonë jo vetëm përvojën dhe profesionalizmin, por edhe qetësinë, maturinë dhe mënyrën njerëzore me të cilën i ka trajtuar bashkëpunëtorët dhe përgjegjësitë. Pozitat janë të përkohshme, ndërsa kontributi, respekti dhe gjurmët që lëmë te njerëzit mbeten”, ka shkruar Tahiri.
Në fund, deputeti e ka falënderuar Hamzën për mbështetjen dhe besimin e treguar ndër vite, duke theksuar se mirënjohja dhe respekti i tij për të do të mbeten gjithmonë.



