Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan
Inspektorati Qendror i Punës, gjatë inspektimeve të zhvilluara në terren, ka konstatuar parregullsi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë në katër objekte ndërtimi: dy në komunën e Gjakovës, një në Ferizaj dhe një në Gjilan.
Për shkak të mungesës së masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
“Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë me kontrollet në terren dhe me ndërmarrjen e masave ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Njëkohësisht, Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, ka njoftuar Inspektorati Qendror i Punës.



