Procesi i shkrimit ma interesant se miti i frymëzimit
Intervistë me Donika Dabishevcin, poete dhe studiuese
Shkrimtari ka në dispozicion gjuhën, kujtesën kulturore, dijen, intuitën, aftësinë e vëzhgimit dhe, mbi të gjitha, atë liri të jashtëzakonshme me përfytyru e imagjinu. Ai mundet me hy në vetëdijen e nji njeriu që ka jetu shekuj para tij, me ndërtu nji botë që ekziston vetëm në imagjinatë, me i dhanë za nji qenieje krejt të ndryshme prej vetes dhe me kriju prej kësaj nji realitet artistik që ka koherencën e vet të brendshme
Donika Dabishevci është poete, studiuese dhe botuese. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoroi po në letërsi. Ka botuar: “Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996, “Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004, “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, “Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015, “Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020, “E gjithkohshmja Andërr”, poezi, Littera, Prishtinë, 2024, fituese e Çmimit si libri më i mirë me poezi, për vitin 2024 nga Ministria e Kulturës së Kosovës, dhe po ashtu si libri më i mirë me poezi gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, 2024, “Grue prej zjermi”, Littera, Prishtinë, 2026, “La tua robinja” Essemble, Romë, 2017, “Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023, “Mi venos kvazaŭ la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023, “Tuttempa revo”, DEC, Kroaci, 2025, “Svevremeni san” , CEEKUM, Podgoricë, 2026.
Përvoja e saj profesionale shtrihet mes fushës së medias dhe asaj akademike. Ka punuar në disa gazeta e revista kosovare, pastaj për një kohë të gjatë në Radio Televizionin e Kosovës.
Ka themeluar dhe menaxhon Portalin për Kulturë, Art dhe Letërsi ObserverKult, Shtëpinë Botuese Littera dhe Festivalin Poetik të Prishtinës.
Poezitë e saja tashmë janë përkthyer në 12 gjuhë. Ato flasin në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, malazeze dhe esperanto.
HEJZA: Në periudha të qeta historike, poezia kërkon të zbulojë kuptimet e fshehta të jetës, ndërsa në kohë tragjedish ajo duket sikur merr përsipër një barrë tjetër: të ruajë atë që rrezikon të zhduket nga kujtesa. Historia regjistron datat, marrëveshjet dhe emrat e heronjve, por rrallë arrin të ruajë dridhjen e shpirtit njerëzor. Ndoshta pikërisht aty fillon territori i poezisë: aty ku dokumenti nuk mjafton më dhe kujtesa kërkon një gjuhë tjetër për të mbijetuar. A mendoni se poezia është vetëm një formë e shprehjes artistike, apo ajo ka edhe një mision më të thellë: të bëhet kujtesa morale e një kohe dhe e një populli, sidomos atëherë kur historia zyrtare nuk arrin ose nuk dëshiron ta kryejë këtë detyrë?
DABISHEVCI: Kam rezerva ndaj kërkesave përtejletrare që i bëhen letërsisë, sado të drejta e fisnike qofshin arsyet sepse e dimë fare mirë çka i ka ndodhë letërsisë kur i është paracaktu nji mision, qoftë politik, ideologjik, kombëtar, moral apo shoqnor, në periudha dhe regjime të ndryshme, pra atëherë kur është kërku prej saj me eduku, me mobilizu, me përfaqësu nji ideal, me prodhu heroin e dëshirueshëm të kohës, me i shërby kombit, klasës, revolucionit apo nji rendi të caktuem vlerash.
Realizmi socialist është ndoshta shembulli ma i afërt për ne, sepse aty “misioni” u shndërrue në doktrinë estetike dhe shkrimtarit iu përcaktu çka e si duhej me pa në realitet, por edhe mënyrën se si duhej me e paraqitë atë. Pikërisht përvoja të tilla duhet të na shërbejnë për me qenë ma të kujdesshëm edhe kur letërsisë i kërkohen misione të cilat mund të konsiderohen mbase edhe fisnike, sepse tekefundit as ajo që mund të quhet fisnikëri e qëllimit, s’e ndryshon natyrën e kërkesës dhe as faktin që veprës po i caktohet paraprakisht nji funksion që ajo pritet me e përmbushë.
HEJZA: Çdo përjetim i rëndë lë pas vetes një plagë, por jo çdo plagë shndërrohet në art. Midis dhimbjes së jetuar dhe veprës së shkruar ekziston një proces i gjatë përpunimi, një distancë e domosdoshme që e çliron krijuesin nga rrëfimi i drejtpërdrejtë dhe e afron me universalen. Në këtë kuptim, poezia nuk lind nga vetë dhimbja, por nga aftësia për t’i dhënë asaj një formë që mund të flasë edhe për përvojën e tjetrit. Ku qëndron kufiri midis dëshmisë dhe poezisë? Në çastin kur trauma shndërrohet në varg, a mbetet ajo ende një përvojë personale, apo fiton një dimension etik dhe estetik që i përket tashmë kujtesës kolektive?
DABISHEVCI: Këtu do të ndalesha te nji çështje që më duket thelbësore, te frymëzimi. E unë kam nji raport paksa skeptik me frymëzimin, sidomos me atë përfytyrimin romantik të krijuesit që pret me e vizitu muza, mundësisht mbas ndonji tronditjeje të madhe shpirtnore.
Për mue, krijimtaria është para së gjithash nji akt i imagjinatës dhe i vetëdijes artistike, ku përvoja jetësore përbën vetëm njanën prej mundësive të shumta të krijimit. Shkrimtari ka në dispozicion shumë ma tepër sesa biografinë e vet, ka gjuhën, kujtesën kulturore, dijen, intuitën, aftësinë e vëzhgimit dhe, mbi të gjitha, atë liri të jashtëzakonshme me përfytyru e imagjinu. Ai mundet me hy në vetëdijen e nji njeriu që ka jetu shekuj para tij, me ndërtu nji botë që ekziston vetëm në imagjinatë, me i dhanë za nji qenieje krejt të ndryshme prej vetes dhe me kriju prej kësaj nji realitet artistik që ka koherencën e vet të brendshme.
Mjafton me mendu për Kafkën. Te Metamorfoza, nji njeri zgjohet i shndërruem në nji krijesë të përbindshme dhe prej kësaj premise krejt të pamundshme Kafka ndërton nji prej përfytyrimeve ma tronditëse të tjetërsimit njerëzor.
Edhe vetë procesi i shkrimit më duket shumë ma interesant sesa miti i frymëzimit. Aty ndërhyjnë kultura letrare e autorit, ndjeshmëria ndaj gjuhës, mendimi, kërkimi i formës, aftësia me e rishiku dhe me e çu tekstin përtej impulsit fillestar. Nganjëherë nji ide që në fillim duket krejt e zakonshme, gjatë punës me gjuhën fiton thellësi të paprituna, nji figurë mundet me e ndryshu krejt drejtimin e poezisë, ndërsa nji varg i vetëm mundet me kërku ma shumë përkushtim sesa gjithë pjesa tjetër e saj. Kjo është pjesa e krijimtarisë që më ka interesu gjithmonë: mënyra se si mendimi, imagjinata dhe gjuha ndërveprojnë derisa krijohet nji botë që ka fillu me i përcaktue vetë ligjet e saj.
HEJZA: Sot, kur kujtesa po delegohet gjithnjë e më shumë te arkivat digjitale, databazat dhe inteligjenca artificiale, paradoksalisht njeriu duket se harron më shpejt se kurrë. Kemi më shumë informacion, por jo domosdoshmërisht më shumë kujtesë; më shumë dëshmi, por jo gjithmonë më shumë vetëdije. Pikërisht për këtë arsye, poezia vazhdon të mbetet një nga format më të pazëvendësueshme të kujtesës njerëzore, sepse ajo nuk ruan faktin, por përjetimin. A mendoni se poezia e shekullit XXI do të vazhdojë të jetë një strehë e kujtesës njerëzore, apo edhe ajo rrezikon të humbasë përballë ritmit marramendës të informacionit dhe konsumit kulturor?
DABISHEVCI: Ndoshta kurrë ma shumë se sot njeriu s’ka pasë mundësi me ruejtë kaq shumë prej asaj që prodhon: tekst, fotografi, zë, dokument, pra pothuajse çdo gjurmë të jetës së vet. Mirëpo, me ruejtë diçka dhe me e mbajtë në kujtesë janë dy gjana thelbësisht të ndryshme. E para, ruejtja, ka t’bëj me kapacitetin tonë për me arkivue, ndërsa e dyta, kujtesa njerëzore funksio non përmes përzgjedhjes, përjetimit dhe kuptimit. Madje, unë mendoj se edhe harresa është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse identiteti ynë formohet edhe prej asaj që koha e ka zbehë, ndryshu apo fshi. Rrjedhimisht, mundesh me lexue qindra faqe dhe me i harrue, ndërsa disa vargje të lexueme ndonjëherë edhe krejt rastësisht munden me t’shoqnue për dekada.
Platoni p.sh te Fedri, përmes rrëfimit të Thamusit, e ngrinte shqetësimin për ndikimin e shkrimit në kujtesën njerëzore. Sot, mbas më shumë se dy mijë vjetësh, po e diskutojmë nji çështje të ngjashme në raport me inteligjencën artificiale. Mue më intereson sidomos çfarë po ndodh me vetëdijen tonë në këtë proces, me aftësinë për me përzgjedhë, me mendu dhe me i dhanë kuptim asaj që marrim prej botës.
HEJZA: Nëse pranojmë se poezia është një formë e kujtesës, atëherë lind natyrshëm pyetja: çfarë ndodh me këtë kujtesë në një epokë që jeton me ritmin e harresës?
DABISHEVCI: Harresa e sotme, më duket se prodhohet prej teprisë. Nji ngjarje ende pa u sedimentu në vetëdijen tonë mbulohet prej tjetrës, nji imazh zhduket në vorbullën e qindra imazheve të tjera dhe kështu përvoja njerëzore rrezikon me u reduktu në nji varg përshtypjesh të përkohshme.
Dhe këtu më duket se qëndron edhe nji çështje filozofike që më intereson veçanërisht: çfarë mbetet prej jetës sonë nëse përvojat që kalojmë arrijmë vetëm me i regjistrue, ndërsa gjithnjë e ma pak me i përvetësue? Sepse, në fund të fundit, kujtesa është pjesë e mënyrës se si ndërtojmë vetëdijen për atë që kemi qenë dhe për atë që jemi ba.
HEJZA: Është thënë shpesh se çdo epokë krijon edhe mënyrën e vet të të lexuarit. Dikur libri ishte një hapësirë e qetë ku lexuesi hynte për të qëndruar gjatë; sot ai duhet të konkurrojë me ekranet, algoritmet dhe një kulturë që e mat vlerën me shpejtësinë e konsumit. Megjithatë, poezia ka mbijetuar edhe në kohëra më të vështira, ndoshta sepse ajo nuk i drejtohet turmës, por ndërgjegjes së individit. Si e përjetoni ju raportin midis poezisë dhe lexuesit të sotëm? A besoni se ka ndryshuar vetë natyra e lexuesit, apo poezia ende arrin të gjejë rrugën drejt atyre që janë të gatshëm ta dëgjojnë gjuhën e saj?
DABISHEVCI: Lexuesi i vërtetë i poezisë ekziston edhe sot. Mundet me e pasë librin në dorë, mundet me lexu në telefon, mundet me ardhë te poezia përmes nji vargu të hasun rastësisht. Realisht, ka ndryshu mënyra se si takohemi me letërsinë, por unë do të isha e kujdesshme me pretendimin se ka ndryshu vetë natyra e lexuesit. Në fund të fundit, edhe në kohët kur libri ishte mjeti kryesor i komunikimit kulturor, leximi i thellë ka kërku ndjeshmëri, përqendrim dhe kulturë letrare.
Ajo që më shqetëson është prirja me e matë marrëdhanien e lexuesit me poezinë përmes shpejtësisë së reagimit dhe numrit të pëlqimeve, sepse kam përshtypjen se sot shpesh ngatërrohet popullariteti i nji teksti me thellësinë e përjetimit të tij, ndërkohë që e dimë mire se nji poezi mundet me pasë nji jetë të gjatë në vetëdijen e nji lexuesi, edhe kur qarkullimi i saj publik mund t’ketë qenë modest.
Personalisht, kam besim te lexuesi. Poezia gjithmonë e ka gjetë rrugën te njerëzit që kanë kërkue prej saj nji përvojë të mirëfilltë estetike dhe intelektuale. Për mue, çështja ma brengosëse është se çfarë po i ban kultura e shpejtësisë aftësisë sonë për me lexue me përqendrim, me durim dhe me mendim kritik.
HEJZA: Në historinë e letërsisë, poezia ka qenë herë zë proteste, herë strehë intime, herë lutje dhe herë akuzë. Ajo nuk e ka ndryshuar rrjedhën e historisë, por ka ndikuar në mënyrën se si njeriu e ka kuptuar historinë dhe vetveten. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse regjimet autoritare kanë pasur gjithmonë frikë nga fjala poetike: jo sepse ajo rrëzon pushtete, por sepse zgjon ndërgjegje. Në këtë kuptim, a mendoni se poezia duhet ta ruajë autonominë e saj estetike edhe kur përballet me padrejtësitë e kohës, apo ka raste kur heshtja e poetit bëhet një formë dorëzimi përballë së keqes?
DABISHEVCI: Këtu do ta ndaja poetin prej poezisë sepse poeti jeton në shoqni, ka bindje, ndërgjegje, përgjegjësi qytetare dhe, përballë padrejtësisë, zgjedh vetë mënyrën si reagon, ndërkaq, letërsia duhet me e ruejtë autonominë e vet estetike. Pra në momentin kur ia përcaktojmë temat për të cilat duhet me folë, edhe kur këtë e bajmë në emën të nji kauze të drejtë, kemi fillue me ia kufizue atë liri e poezia që humb lirinë e vet, sado e drejtë të jetë kauza që mbron, rrezikon me humbë atë që e ban art.
Pra do të ishte gabim me e lidhë vlerën e poezisë edhe vetëm me përndjekjen, disidencën apo kundërshtimin politik. Nji poet mundet me qenë thellësisht i angazhuem në jetën publike dhe me shkrue poezi krejt intime, nji tjetër mundet me jetue larg përplasjeve politike dhe me krijue vepra që tronditin mënyrën se si njeriu e kupton ekzistencën.
Po ashtu do të isha e kujdesshme edhe me gjykimin e heshtjes së poetit, sepse heshtja publike mundet me pasë shumë kuptime. Ajo që kërkoj prej nji vepre është integriteti artistik, fuqia e mendimit dhe e gjuhës, aftësia me kriju nji përvojë estetike që e zgjeron vetëdijen njerëzore, dhe përderisa përgjegjësinë qytetare e konsideroj çështje të ndërgjegjes së autorit, autonominë estetike e cilësoj kusht themelor të krijimtarisë. Dhe pikërisht sepse e marr seriozisht përgjegjësinë morale të njeriut, dua që letërsia ta ketë lirinë me e kërkue të vërtetën e vet artistike edhe përtej bindjeve të atij që e shkruen.
HEJZA: Në çdo kohë kanë ekzistuar poetë që kanë zgjedhur të jenë vetëm dëshmitarë të botës dhe të tjerë që kanë ndier detyrimin moral të ndërhyjnë në të. Kjo dilemë nuk ka marrë kurrë një përgjigje përfundimtare, sepse poezia lëviz vazhdimisht ndërmjet lirisë estetike dhe ndërgjegjes qytetare. Sa më e trazuar bëhet koha, aq më shumë shtrohet pyetja nëse poeti mund të mjaftohet me bukurinë e vargut, apo duhet të mbajë mbi supe edhe barrën e së vërtetës. A mendoni se poeti ka një përgjegjësi që shkon përtej krijimit të një vepre artistike, apo misioni i tij përfundon në çastin kur arrin ta shndërrojë përvojën njerëzore në art? Ku vendoset, sipas jush, kufiri ndërmjet lirisë estetike dhe përgjegjësisë morale?
DABISHEVCI: Poeti s’i ka borxh kohës me u ba za i çdo kauze të saj. E kam konsiderue gjithmonë problematike këtë pritje që autori duhet medoemos me dëshmue angazhimin e vet përmes veprës, sikur vlera morale e njeriut dhe vlera artistike e krijimtarisë së tij të duhej me u matë me të njajtat kritere. Për mue, përgjegjësia e poetit ndaj veprës fillon te serioziteti me të cilin i qaset krijimit dhe te ndershmëria artistike me të cilën e ndërton atë.
Madje, më duket se ka diçka kundërthënëse në kërkesën që poeti me qenë i lirë në krijim dhe, njëkohësisht, me iu përgjigjë pritjeve morale të kohës. Sepse edhe vetë koncepti i përgjegjësisë morale ndryshon prej nji epoke në tjetrën, prej nji shoqnie në tjetrën, madje edhe mes njerëzve që jetojnë në të njajtat rrethana historike. Atëherë, kush e përcakton se cilës së vërtetë duhet me i shërbye poeti dhe në emën të cilës ndërgjegje duhet me folë?
Pra, unë besoj se poeti, si çdo njeri tjetër, ka përgjegjësi ndaj shoqnisë ku jeton, por mënyra se si e ushtron atë i përket ndërgjegjes dhe zgjedhjes së tij personale. Ndërsa poezisë do t’ia lija lirinë me u marrë edhe me ato përvoja që koha i konsideron të parëndësishme, sepse historia e letërsisë na ka tregue se ajo që nji epokë e shpall urgjente mundet me u harrue shpejt, ndërsa nji shqetësim krejt intim i nji poeti mundet me i mbijetue shekujve.
HEJZA: Thuhet se poeti shkruan në vetmi, por letërsia nuk lind kurrë në një zbrazëti shpirtërore. Çdo krijues është njëkohësisht trashëgimtar i një tradite, bashkëbisedues me autorët që e kanë paraprirë dhe dëshmitar i kohës së vet. Origjinaliteti nuk qëndron te shkëputja nga kjo vazhdimësi, por te mënyra se si secili arrin ta shndërrojë atë në një zë të papërsëritshëm. Si e përjetoni ju këtë marrëdhënie ndërmjet traditës dhe individualitetit krijues? A është më e vështirë sot të ruash dialogun me trashëgiminë letrare, apo të mbrosh autenticitetin e zërit tënd nga uniformizimi estetik i kohës?
DABISHEVCI: Para nesh ekziston nji gjuhë, nji letërsi, nji mënyrë e të menduemit dhe e të shkruemit që e kanë ndërtue të tjerët, prandaj edhe nëse duem me u shkëputë prej traditës, duhet së pari me e njohë atë prej së cilës po shkëputemi. Përndryshe mund të na ndodhë me e shpallë si risi diçka që letërsia e ka ba shumë kohë para nesh.
Këtu më duket me vend me iu kthye esesë së njohun të T. S. Eliotit, Tradita dhe talenti individual, ku ai e trajton traditën si nji vetëdije historike që shkrimtari duhet me e fitue përmes punës dhe njohjes së letërsisë. Veçanërisht interesante më duket ideja e tij se marrëdhania mes së kaluemes dhe së tashmes është e dyanshme: veprat e reja, kur kanë vlerë të mirëfilltë artistike, ndikojnë edhe në mënyrën se si e lexojmë dhe e kuptojmë trashëgiminë që i ka parapri. Pra, tradita është nji vazhdimësi që ripërkufizohet prej çdo krijimi të rëndësishëm.
Unë e kam konsiderue gjithmonë kulturën letrare pjesë të domosdoshme të vetëdijes së shkrimtarit. Madje, mendoj se nji prej problemeve të krijimtarisë së sotme është ngatërrimi i origjinalitetit me dëshirën për me qenë medoemos i ndryshëm. Kjo dëshirë shpesh prodhon vetëm nji lloj tjetër uniformiteti, sepse edhe risia, kur shndërrohet në kërkesë të tregut apo në modë estetike, fillon me i prodhue klishetë e veta.
HEJZA: Asnjë letërsi nuk jeton vetëm falë autorëve të saj. Ajo ndërtohet edhe nga universitetet, kritika, botuesit, revistat, festivalet, juritë, përkthyesit dhe institucionet që vendosin se cilat vepra do të qarkullojnë, cilat do të lexohen dhe cilat do të harrohen. Prandaj, historia e letërsisë nuk është vetëm historia e librave të shkruar, por edhe e mekanizmave që kanë ndikuar në fatin e tyre. Në këtë kuptim, kanoni nuk është thjesht një përzgjedhje estetike, por edhe një pasqyrë e kohës që e ka ndërtuar. Si e shihni ju marrëdhënien ndërmjet vlerës letrare dhe institucioneve që e legjitimojnë atë? A është kanoni një garanci për ruajtjen e vlerave, apo mund të shndërrohet, herë pas here, edhe në një mekanizëm që vonon ose pengon njohjen e zërave të rëndësishëm?
DABISHEVCI: Vlera letrare dhe legjitimimi institucional shpesh trajtohen si e njajta gja, ndërkohë që janë dy procese krejt të ndryshme. Nji institucion mundet me ia dhanë nji libri dukshmëninë, me e futë në programe, antologji, histori të letërsisë, me e shpërbly apo me e promovu, por asnjani prej këtyne mekanizmave s’mundet me ia garantu vlerën estetike. Atë e përcaktojnë cilësitë artistike të vetë veprës dhe, në nji perspektivë ma të gjatë, raporti që ajo arrin me kriju me lexuesin, kritikën dhe kohën.
Kanoni letrar ndërtohet gjithmonë brenda nji konteksti të caktuem historik, kulturor dhe ideologjik. Ata që vendosin se cilat vepra meritojnë me u përfshi në historinë zyrtare të letërsisë janë vetë pjesë e sistemit të vlerave të kohës së tyne. Prandaj, kanoni, krahas gjykimeve estetike, bart edhe gjurmët e ideologjisë dominuese, të marrëdhanieve të pushtetit, të hierarkive kulturore dhe të interesave institucionale. Mjafton me e pa historinë e letërsisë së realizmit socialist për me kuptu se si nji sistem ideologjik mundet me e përcaktu për dekada se çka konsiderohet letërsi e vlefshme, cilët autorë promovohen dhe cilët përjashtohen prej kujtesës letrare.
Por edhe jashtë regjimeve totalitare, procesi i kanonizimit mbetet i ndikuem prej autoritetit kulturor dhe mekanizmave të përzgjedhjes. Nji vepër mundet me mbetë gjatë në periferi për arsye që kanë pak të bajnë me cilësitë e saj artistike, ndërsa nji tjetër mundet me fitu status të privilegjuem falë rrethanave institucionale. Historia e letërsisë njeh plot raste kur autorë të shpërfillun prej bashkëkohësve janë rivlerësu shumë ma vonë, çka tregon se edhe vetë kanoni është nji ndërtim historik që i nënshtrohet rishikimit.
E konsideroj të domosdoshëm ekzistimin e institucioneve letrare, të kritikës dhe të studimeve akademike, sepse ato kanë përgjegjësi të rëndësishme në ruajtjen, interpretimin dhe përcjelljen e trashëgimisë, por pikërisht për shkak të kësaj përgjegjësie, autoriteti i tyne duhet me mbetë vazhdimisht i hapun ndaj shqyrtimit kritik.
HEJZA: Historia e letërsisë dëshmon se jo rrallë autorët më të mëdhenj janë kuptuar me vonesë, ndërsa emra të tjerë, dikur shumë të promovuar, kanë mbetur vetëm si dëshmi të shijeve kalimtare të një epoke. Kjo na kujton se koha është ndoshta kritiku më i drejtë, por edhe më i ngadalshëm. Megjithatë, në ndërkohë, janë institucionet kulturore ato që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e lexuesit dhe në orientimin e vëmendjes publike. Duke qenë njëkohësisht poete, studiuese, botuese dhe organizatore e jetës kulturore, a mendoni se institucionet tona po ndërtojnë një kulturë të leximit që mbështetet mbi kriterin estetik, apo shpeshherë mbi logjika të tjera, më kalimtare dhe më pak të qëndrueshme?
DABISHEVCI: Përvoja në këto role të ndryshme ma ka ba edhe ma të qartë se kultura e leximit kërkon nji punë shumë ma të gjatë sesa botimi i librave dhe organizimi i aktiviteteve letrare. Ajo fillon në shkollë, zhvillohet në universitet dhe kultivohet përmes kritikës, bibliotekave, botuesve, revistave e institucioneve që kanë përgjegjësi me e formu lexuesin dhe gjykimin e tij estetik.
E ne shpesh kam përshtypjen se kemi zhvillue ma shumë kulturën e promovimit sesa kulturën e leximit. Prodhojmë libra, promovime, çmime, festivale, fotografi e deklarata, ndërsa diskutimi kritik për vetë veprën mbetet i varfër. Libri qarkullon për pak kohë rreth emnit të autorit, mandej vjen libri tjetër, ngjarja tjetër, emni tjetër, e kështu, jeta letrare fiton nji dinamikë të vazhdueshme publike, ndërsa reflektimi për atë që prodhohet mbetet shumë ma i ngadalshëm.
HEJZA: Në çdo hapësirë kulturore ekziston një tension i vazhdueshëm ndërmjet traditës dhe prirjes për të zbuluar zëra të rinj. Njëra kërkon ruajtjen e një trashëgimie të provuar, tjetra kërkon guximin për të pranuar forma dhe ndjeshmëri që ende nuk janë bërë pjesë e konsensusit kritik. Nëse mungon ekuilibri, letërsia ose mbyllet në kultin e emrave të njohur, ose humbet në entuziazmin e përkohshëm për risinë. Si e përjetoni ju këtë përgjegjësi, sidomos në rolin tuaj si botuese dhe organizatore? Kur përballeni me një zë të ri, cilat janë shenjat që ju bëjnë të besoni se përpara keni një autor me potencial të qëndrueshëm dhe jo thjesht një sukses të çastit?
DABISHEVCI: Në rolin e botueses dhe organizatores jam përpjekë gjithmonë me e nda moshën e autorit prej vlerës së tekstit. Fakti që dikush është i ri s’përbën vlerë estetike në vetvete, njësoj sikurse emni i konsoliduem s’është garanci se çdo vepër e re e tij është domosdoshmërisht e mirë. Në të dyja rastet, për mue, gjykimi letrar fillon te teksti dhe duhet me u mbështetë në kritere që burojnë prej vetë natyrës së letërsisë. Për mue, përgjegjësia e botuesit dhe e organizatorit kulturor qëndron pikërisht te kjo pavarësi, me i dhanë hapësinë e meritueme veprës që ka cilësi artistike, pavarësisht se kush e ka shkru dhe sa i njohun është emni që qëndron mbi kopertinë.
HEJZA: Për një kohë të gjatë, gruaja ka qenë një nga figurat më të pranishme në letërsi, por jo domosdoshmërisht një nga zërat më të dëgjuar. Ajo është kënduar, idealizuar, mitizuar, dramatizuar, por shumë më rrallë ka qenë vetë subjekti që e ndërtonte rrëfimin. Vetëm kur gruaja fillon të shkruajë përvojën e saj me gjuhën e saj, letërsia fiton një këndvështrim që nuk është thjesht i ri, por edhe i pazëvendësueshëm. A mendoni se ekziston një përvojë poetike që mund të lindë vetëm nga vetëdija krijuese e gruas, jo si kundërvënie ndaj zërit mashkullor, por si një mënyrë tjetër e të parëit të botës dhe të njeriut?
DABISHEVCI: Për shekuj me radhë, letërsia e ka përshkru, dëshiru, idealizu e gjyku gruan. Trupi, dashnia, seksualiteti, amësia, plakja, dhuna e liria e saj kanë qenë vazhdimisht lëndë letrare, por me gruen si autore ndryshon pozicioni prej të cilit artikulohen krejt këto përvoja. Grueja kalon prej figurës së krijueme prej tjetrit në subjekt që e krijon vetë kuptimin e qenies së saj. Natyrisht, kjo s’do të thotë se ekziston nji mënyrë e vetme femnore e të shkruemit, sepse përvoja e grues është po aq e ndërlikueme dhe individuale sa vetë përvoja njerëzore.
Në krijimtarinë teme, kjo vetëdije ka marrë trajta të ndryshme. Te “Kam me ardhë si deka”, erotika lidhet me të drejtën e grues me e artikulue dëshirën e vet, me e përjetu trupin si hapësinë e saj të lirisë dhe me e çliru prej gjykimit moral që historikisht e ka shoqnu seksualitetin femnor. Te “E gjithkohshmja Andërr”, grueja shfaqet në përballje me përvojën e luftës, në shumësi rolesh e tragjedish, si nanë që përjeton humbjen e fëmijës, si grue e dhunueme, si dëshmitare e shkatërrimit, si bartëse e kujtesës së familjes dhe të nji shoqnie të tanë. Më ka interesu veçanërisht ajo pjesë e historisë së luftës që mbetet e ngulun në trupin dhe kujtesën e grues, përvoja e saj si përjetuese e dhunës, e humbjes dhe e mbijetesës, por edhe mënyra se si ajo vazhdon me e bartë luftën shumë kohë mbasi ajo ka përfundu.Ndërsa te “Grue prej zjermi”, kam shku ma thellë në brendinë e qenies, në marrëdhanien e saj me trupin, dashninë, identitetin dhe lirinë. Këtu grueja e njeh veten përmes përvojës së saj trupore e shpirtërore, përmes dëshirës, kujtesës dhe vetëdijes për atë që është. Në nji kuptim, këto tri vepra përbajnë tri dimensione që më kanë preokupu në periudha të ndryshme të krijimtarisë: grueja që e artikulon dëshirën e vet, grueja që e përjeton dhe e bart tragjedinë historike dhe grueja që kërkon me e kuptu qenien e saj në tërësi.
HEJZA: Në debatet bashkëkohore flitet shpesh për “letërsinë e grave” ose për “shkrimin femëror”, sikur përkatësia gjinore të mjaftonte për të përcaktuar natyrën e një vepre. Megjithatë, historia e letërsisë na mëson se arti i madh i kapërcen gjithmonë kategoritë që përpiqen ta kufizojnë. Një vepër mund të lindë nga një përvojë thellësisht personale dhe, megjithatë, të arrijë të flasë për çdo njeri. Si e shihni ju këtë debat? A ndihmojnë nocione të tilla për ta kuptuar më mirë krijimtarinë, apo ekziston rreziku që ato ta vendosin veprën në një kategori përpara se ta lexojnë si art?
DABISHEVCI: Nocione të tilla mund të jenë të dobishme për studimin e letërsisë, sidomos kur duem me kuptue rrethanat historike e kulturore në të cilat kanë shkru gratë, temat që kanë sjellë, mënyrën se si e kanë artikulu subjektivitetin dhe raportin e tyne me gjuhën e me shoqninë. Në këtë kuptim, kategoria krijon nji perspektivë leximi dhe mundet me na ndihmu me kuptu procese që për nji kohë të gjatë kanë mbetë jashtë vëmendjes kritike.
Megjithatë, këtu do ta shtroja edhe nji pyetje: nëse flasim për shkrim femnor, a duhet me folë, me të njajtat kritere, edhe për shkrim mashkullor? Dhe nëse po, çka e përcakton përkatësinë gjinore të nji teksti: gjinia e autorit, tematika, ndjeshmënia, gjuha apo mënyra e ndërtimit të veprës? Sepse nji burrë mundet me kriju nji personazh femnor me thellësi të jashtëzakonshme psikologjike, sikurse nji grue mundet me artikulu përvoja që historikisht janë konsideru pjesë e botës mashkullore. Vetë historia e letërsisë na jep arsye me qenë të kujdesshëm ndaj këtyne ndamjeve.
Problemi fillon kur perspektiva kritike shndërrohet në përkufizim të veprës. Atëherë autorja lexohet fillimisht përmes gjinisë së saj dhe vetëm mandej përmes asaj që ka kriju. Madje, shpesh kam përshtypjen se termi “letërsi femnore” përdoret për me veçu krijimtarinë e autoreve, ndërsa krijimtaria e burrave vazhdon me u trajtue thjesht si letërsi, pa pasë nevojë për nji përcaktim gjinor. Edhe kjo asimetri meriton me u shqyrtu me sy kritik.
Prandaj, këto nocione i shoh ma shumë si instrumente të studimit sesa si identitete të vetë letërsisë. Përkatësia gjinore mundet me qenë e rëndësishme për me e kuptu përvojën prej së cilës lind nji vepër, por gjykimi estetik duhet me u mbështetë te mënyra se si ajo përvojë është shndërru në art. Në fund, ajo që më intereson te nji poezi është çka ka arrijtë me ba autori me gjuhën dhe me përvojën njerëzore, pavarësisht nëse atë e ka shkru nji grue apo nji burrë.
HEJZA: Në poezinë tuaj vërehet një ndërthurje e vazhdueshme e intimes me universalen, e ndjenjës personale me kujtesën kolektive. Kjo e bën zërin lirik të mos mbetet i mbyllur brenda biografisë së autores, por të fitojë një rezonancë më të gjerë njerëzore. Ndoshta pikërisht aty qëndron një nga sfidat më të mëdha të poezisë: të mos e humbasë sinqeritetin e përvojës individuale, por as të mos mbetet rob i saj. Kur shkruani, a ndieni se zëri poetik buron nga “unë”-i juaj, apo në një çast ai fillon të flasë edhe në emër të përvojave që tejkalojnë biografinë personale? Kur e kuptoni se një poezi nuk ju përket më vetëm juve, por edhe lexuesit?
DABISHEVCI: Poezia është nji realitet artistik që ndërtohet përmes gjuhës, imagjinatës dhe përvojës njerëzore. Subjekti lirik ka autonominë e vet brenda veprës dhe përfaqëson nji vetëdije të krijueme estetikisht, e cila mundet me përfshi përvoja individuale, kolektive, të jetueme apo të përfytyrueme. Prandaj, edhe marrëdhanien mes intimes dhe universales e shoh në radhë të parë si çështje të realizimit artistik. Nji përvojë krejt e veçantë mundet me fitu përmasa universale përmes thellësisë së trajtimit dhe fuqisë shprehëse të gjuhës.
Në krijimtarinë teme, dashnia, erotika, trupi, lufta, kujtesa dhe humbja janë artikulu përmes subjekteve lirike që bartin vetëdije dhe përvoja të ndryshme. Ajo që më intereson gjatë krijimit është ndërtimi i nji bote poetike me koherencën, ndjeshmëninë dhe të vërtetën e saj artistike, ku përvoja njerëzore fiton nji ekzistencë të re përmes formës.
Ndërsa, dëshmia ma domethanëse se nji poezi ka fitu jetën e saj të pavarun është çasti kur lexuesi e përvetëson atë në përvojën e vet, kur nji varg hyn në kujtesën e tij dhe vazhdon me jetu aty, i lidhun me nji ndjenjë, nji humbje apo nji çast të ekzistencës së tij.
HEJZA: Qytetërimet zakonisht maten me zhvillimin e tyre ekonomik, teknologjik ose ushtarak, ndërsa shumë më rrallë me cilësinë e kujtesës së tyre shpirtërore. Megjithatë, historia dëshmon se shoqëritë nuk rrënohen vetëm kur varfërohen materialisht; ato fillojnë të shpërbëhen edhe kur humbasin aftësinë për të ndier, për të imagjinuar dhe për të dialoguar me vetveten. Në këtë kuptim, letërsia nuk është një luks kulturor, por një nga format më të rëndësishme të vetëdijes së një qytetërimi. A mendoni se rreziku më i madh për letërsinë sot është mungesa e lexuesve, apo mungesa e një kulture që e konsideron letërsinë të domosdoshme për formimin e njeriut?
DABISHEVCI: Lexuesi ka pasë gjithmonë periudhat e veta të afrimit e të largimit prej librit, por kur nji shoqni fillon me e konsiderue letërsinë diçka periferike, aty preket nji çështje shumë ma e thellë: mënyra se si ajo shoqni e mendon njeriun, formimin e tij intelektual dhe vendin që ia njeh kulturës në zhvillimin e vet.
Nji shoqni mundet me përparu ekonomikisht e teknologjikisht dhe, njëkohësisht, me u varfnu në aftësinë për me mendu në mënyrë kritike, me e kuptu përvojën e tjetrit dhe me e shqyrtu ekzistencën njerëzore përtej dobisë së menjëhershme. Letërsia ka nji rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim, sepse përmes saj njeriu hyn në botë, kohë dhe vetëdije të tjera, përballet me kundërthanie morale e psikologjike dhe zhvillon aftësinë me e pa realitetin prej perspektivave të ndryshme. Në vazhdë të kësaj më duket veçanërisht shqetësuese prirja me e matë rëndësinë e dijes dhe të kulturës vetëm përmes dobisë praktike apo përfitimit ekonomik. Kur edhe arsimi fillon me u orientu kryesisht drejt përgatitjes së njeriut për tregun e punës, letërsia dhe artet rrezikojnë me u trajtu si dije plotësuese, ndërkohë që ato marrin pjesë drejtpërdrejt në formimin e gjykimit, të imagjinatës dhe të vetëdijes së tij.
Prandaj, pyetja thelbësore është çfarë njeriu synon me formue nji shoqni dhe çfarë vendi zë letërsia në këtë përfytyrim. Sepse mënyra se si nji qytetërim e trajton letërsinë tregon shumë edhe për mënyrën se si e kupton vetë jetën njerëzore: sa hapësinë i len mendimit të pavarun, sa vlerë i njeh ndjeshmënisë dhe sa është i gatshëm me investu në ato përmasa të ekzistencës që kanë rëndësi edhe përtej asaj që mundet me u matë e me u shndërru në përfitim.
HEJZA: Çdo brez trashëgon një gjuhë, një histori dhe një kujtesë, por mënyra se si i përdor ato përcakton edhe cilësinë e së ardhmes që ndërton. Shkrimtari nuk mund ta zgjedhë kohën në të cilën jeton, por mund të zgjedhë çfarë gjurme dëshiron të lërë në të. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse veprat e rëndësishme vazhdojnë të lexohen: jo sepse i përkasin së kaluarës, por sepse vazhdojnë t’i bëjnë pyetje së ardhmes. Kur mendoni për brezat që do të vijnë pas nesh, çfarë shpresoni të gjejnë ata në poezinë e shkruar sot? Çfarë do të ishte ajo vlerë që nuk duhet të humbasë kurrë, pavarësisht se si do të ndryshojë bota?
DABISHEVCI: Kur mendoj për brezat që do të vijnë, do të doja që në poezinë tonë të gjenin mënyrën se si kjo epokë ka kalu përmes nesh, çka na ka ba me dashtë, me u frikësu, me humbë, me kërku liri, me u përplasë me vetveten dhe me botën përreth. Pra, gjurmën njerëzore të nji qytetnimi, të ruejtun përmes ndjeshmënisë dhe vetëdijes poetike. Kur lexojmë poezi të shkrueme shekuj ma parë, shpesh nji varg arrin me na afru me njeriun që e ka jetu atë realitet ma shumë sesa krejt njohunitë historike që mund t’i kemi për të. Do të doja që edhe poezia e shkrueme sot ta kishte këtë fuqi. T’ia jepte lexuesit të ardhshëm mundësinë me kuptu se kemi qenë shumë ma tepër sesa datat, konfliktet, teknologjitë dhe rrethanat që kanë me na përkufizu në histori. Se kemi jetu me gjithë ndërlikueshmëninë e qenies njerëzore, me dashni, frikë, dëshira, kundërthanie dhe përpjekje për me i dhanë kuptim ekzistencës sonë.
HEJZA: Njeriu largohet, epokat ndërrojnë, bibliotekat rriten dhe harresa vazhdon të bëjë punën e saj të pandërprerë. Megjithatë, ka libra që mbeten, jo sepse kanë ndjekur shijen e kohës, por sepse kanë arritur të prekin diçka thelbësore në qenien njerëzore. Ndoshta kjo është edhe aspirata më e lartë e çdo krijuesi: të shkruajë jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për ata që ende nuk kanë lindur. Nëse një ditë, shumë vite më vonë, një lexues i panjohur do të hapte vetëm një libër tuajin për të kuptuar jo vetëm Donika Dabishevcin, por edhe kohën në të cilën jetuam, çfarë do të dëshironit që ai të gjente në ato faqe: një dëshmi, një revoltë, një dashuri, një kujtesë apo një besim se njeriu ende mund të shpëtojë përmes fjalës?
DABISHEVCI: Në përmasën ma modeste, do të më mjaftonte me mbetë ndonji poezi. Ndonji varg që vazhdon me u kujtu, nji figurë që mbetet në mendje, nji poezi dashnie që dikush ia lexon njeriut që don edhe mbas shumë vitesh.
Intervistoi: Shkëlzen HALIMI
Marrë nga revista “Hejza”



