Maqedonci ligjëron para studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame për sistemin e mbrojtjes së Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mbajtur të enjten një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame, ku ka diskutuar për sistemin e mbrojtjes së Kosovës dhe sfidat aktuale të sigurisë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Maqedonci ka bërë të ditur se ligjërata është mbajtur në kuadër të takimeve dhe bashkëbisedimeve me studentë në universitete dhe institucione arsimore të vendit.
Tema e ligjëratës ishte “Sistemi i mbrojtjes së Republikës së Kosovës në një mjedis të ndryshuar të sigurisë”.
Gjatë takimit, ministri ka diskutuar me studentët për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së Kosovës, avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Maqedonci ka vlerësuar interesimin e studentëve për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e bashkëbisedimit me ta.
“Ishte kënaqësi të dëgjoja mendimet dhe pyetjet e studentëve, të cilët treguan interesim për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Maqedonci.
Në fund, ministri ka falënderuar Fakultetin e Studimeve Islame për ftesën dhe mikpritjen, si dhe studentët për diskutimin e zhvilluar.
“Falënderoj Fakultetin e Studimeve Islame për ftesën dhe mikpritjen, si dhe studentët për bashkëbisedimin e frytshëm”, ka shkruar ai në “Facebook”.



