‘Më i miri në historinë e futbollit anglez’, Gerrard lavdëron Harry Kanen

22 tetor 2026 | 16:44

Ish-kapiteni i Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, beson se Harry Kane mund të jetë futbollisti më i mirë anglez i të gjitha kohërave.

Gerrard i ka bërë këto komente katër ditë para ceremonisë së ndarjes së Topit të Artë, për të cilin sulmuesi i Bayern Munichut është një nga favoritët kryesorë, së bashku me Lamine Yamalin dhe Kylian Mbappen.

“Sipas mendimit tim, Harry Kane është padyshim lojtari më i mirë anglez i të gjitha kohërave”, ka thënë Gerrard për “TNT Sports”.

Gerrard nuk është ish-futbollisti i vetëm që e vlerëson Kanen në këtë mënyrë. Wayne Rooney kishte deklaruar në podkastin “The Overlap”, në vitin 2024, se e konsideronte sulmuesin 33-vjeçar lojtarin më të madh në historinë e futbollit anglez.

Kane ka shënuar 73 gola në 65 ndeshje për Bayern Munichun dhe Kombëtaren e Anglisë gjatë sezonit të kaluar. Vetëm Lionel Messi ka regjistruar një numër më të madh golash në një sezon, duke realizuar 82 gola për Barcelonën dhe Argjentinën në sezonin 2011/12.

Sulmuesi anglez ka fituar tre trofe në Gjermani me Bayernin, ndërsa në gusht është shpërblyer me Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë në Evropë. Ky ishte trofeu i dytë i tillë për të, pas atij që fitoi në sezonin 2023/24.

Kane e ka vazhduar formën e tij të mirë edhe në sezonin e ri. Në fitoren 7-0 ndaj Union Berlinit, më 18 shtator, ai e ka shënuar golin e tij të 100-të në Bundesligë, në vetëm paraqitjen e tij të 98-të në këtë garë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka folur për zgjedhjet e brendshme në…