PDK-ja dhe LDK-ja në betejë me veten

23 tetor 2026 | 11:41

Njëra mbeti pa kryetar, ndërsa tjetra po përballet me kërkesa për largimin e tij. Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dorëheqja e Bedri Hamzës ka hapur rrugën për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku po përballet me kundërshtime nga figura të partisë së tij, përfshirë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon ta marrë drejtimin e partisë.

Dy partitë opozitare kanë së bashku 40 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Por, në një kohë kur po përballen me mosmarrëveshje të brendshme, sa hapësirë u mbetet për ta sfiduar Qeverinë e Albin Kurtit?

Përgjigjja nuk lidhet vetëm me emrat që do t’i udhëheqin. Në PDK, debati shkon deri te identiteti politik pas Hashim Thaçit, ndërsa në LDK përqendrohet te rezultatet zgjedhore, vendimet e udhëheqjes dhe drejtimi që duhet të marrë partia.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se këto probleme mund të ndikojnë në aftësinë e dy partive për të bashkëpunuar, për të mbikëqyrur Qeverinë dhe për t’u ofruar votuesve një alternativë politike.

Dy parti, dy beteja për udhëheqjen

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026, PDK-ja fitoi 19.44 për qind të votave dhe 22 ulëse në Kuvend, ndërsa LDK-ja siguroi 16.69 për qind të votave dhe 18 ulëse.

Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025, PDK-ja shënoi një rënie të lehtë të përqindjes së votave, nga 20.19 në 19.44 për qind, duke ruajtur numrin e ulëseve. LDK-ja, ndërkaq, e rriti mbështetjen nga 13.24 në 16.69 për qind dhe fitoi tri ulëse më shumë.

Megjithatë, rritja nuk i shoi mospajtimet brenda LDK-së, e cila mbeti forca e tretë politike në vend.

Pas zgjedhjeve të qershorit, disa degë të partisë, përfshirë ato në Pejë, Lipjan dhe një degë në Prishtinë, kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e konsideruar rezultatin të pamjaftueshëm.

Abdixhiku i kundërshtoi kërkesat dhe akuzoi disa struktura për veprime të koordinuara kundër tij, ndërsa figura të tjera të partisë i dolën në mbështetje.

Përplasjet nuk u shuan.

Më 22 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi synimin për të kandiduar për kryetar të LDK-së dhe kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut.

Rama e lidhi ambicien e tij me rezultatin në Prishtinë, ku ishte rizgjedhur kryetar i komunës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kërkoi që debati për udhëheqjen të zhvillohet në kuadër të një procesi të rregullt zgjedhor. Ai shkroi në rrjetet sociale se viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme në parti dhe se diskutimi për kandidatët, pa u hapur zyrtarisht gara, nuk i kontribuon demokracisë së saj.

Abdixhiku, i cili e drejton LDK-në që nga viti 2021, kishte ofruar dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2025, por kishte marrë votëbesimin e partisë për të vazhduar në këtë post.

Ai kaloi një tjetër votëbesim edhe në korrik të këtij viti.

Në PDK, ndërkaq, ndryshimi i udhëheqjes tashmë është bërë i pashmangshëm.

Bedri Hamza dha dorëheqje të parevokueshme më 21 tetor, më pak se një vit pasi kishte marrë drejtimin e partisë.

Ai tha se vendimi synon t’u hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme dhe figurave të reja, por nuk sqaroi se kur do të zhvillohet procesi.

PDK-ja kishte paralajmëruar më herët nisjen e zgjedhjeve të brendshme në shtator, por ato nuk u zhvilluan.

“Radio Evropa e Lirë” kërkoi komente nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së për zhvillimet e brendshme në këto parti, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e artikullit.

PDK-ja pas Thaçit, LDK-ja përballë pakënaqësive

Për gati dy dekada, PDK-ja u identifikua politikisht me Hashim Thaçin dhe më pas me Kadri Veselin.

Thaçi e udhëhoqi partinë nga themelimi i saj më 1999 deri në vitin 2016, kur u zgjodh president i Kosovës. Pas tij, drejtimin e mori Veseli, i cili dha dorëheqje në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që atëherë, PDK-ja ka kaluar nëpër disa ndryshime të udhëheqjes, ndërsa ndikimi politik i ish-drejtuesve të saj mbetet pjesë e debatit për të ardhmen e partisë.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i shpallën të katërtit fajtorë për krime lufte. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Tani, pas dorëheqjes së Hamzës dhe vendimit në Hagë, PDK-ja përballet sërish me pyetjen se kush do ta udhëheqë dhe mbi çfarë orientimi politik.

Për Donika Eminin, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, PDK-ja po përballet me një krizë identiteti dhe ripozicionimi politik.

Ajo vlerëson se tensionet ndërmjet strukturave tradicionale dhe një brezi që synon një profil tjetër politik tregojnë se ndryshimi i udhëheqjes nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e drejtimit të partisë.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në të ardhmen e saj, sipas Eminit, është procesi gjyqësor në Hagë.

“Pasojat e këtij procesi tashmë kanë filluar të ndihen, por mendoj se ndikimi i tij në strukturat, balancat e brendshme dhe orientimin e ardhshëm të partisë mund të jetë shumë më i madh sesa shohim sot. Për këtë arsye, kriza e PDK-së nuk mund të kuptohet vetëm përmes debatit aktual për lidershipin”, ka thënë Emini për “Radio Evropa e Lirë”.

Në LDK, problemi është tjetër.

Partia ka një kryetar që u ka mbijetuar votëbesimeve të brendshme dhe ka shënuar rritje në zgjedhjet e fundit, por kjo nuk e ka ndalur kundërshtimin ndaj tij.

Kërkesat për largimin e Abdixhikut nuk lidhen vetëm me rezultatin zgjedhor, por edhe me mënyrën se si ai e ka drejtuar partinë.

Emini përmend menaxhimin e periudhës pas zgjedhjeve, raportet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin, si dhe diskutimet për rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në parti.

“Në vend që këto zhvillime ta ndihmonin partinë të konsolidohej, ato kanë nxjerrë në pah edhe më shumë dobësitë dhe ndarjet e saj”, ka thënë ajo.

Sipas Eminit, LDK-ja duhet të përcaktojë jo vetëm se kush do ta udhëheqë, por edhe çfarë oferte politike do t’u paraqesë votuesve.

Politologu Dritëro Arifi sheh një problem të përbashkët në të dyja partitë: mungesën e një strategjie afatgjatë.

Ai thotë se disa struktura të LDK-së vazhdojnë të kenë mosbesim ndaj udhëheqjes së Abdixhikut, ndërsa dorëheqja e Hamzës nxjerr në pah, sipas tij, mungesën e përgatitjes për një tranzicion të qartë në PDK.

“Po vërehet se nuk ka pasur strategji, sepse po të kishte pasur, dorëheqja e kryetarit do të duhej të pasohej menjëherë me disa kandidatë seriozë për këtë post, të cilët do t’i hynin garës menjëherë për ta sanuar problemin”, ka thënë Arifi për “Radio Evropa e Lirë”.

Për të, ndryshimi i emrave në krye nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me ndryshimin e politikave dhe të mënyrës së funksionimit të partive.

Kur opozita bashkëpunon me pushtetin

Vetëm pak javë pasi siguroi mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, PDK-ja kërkoi që ligji të kthehej në Kuvend.

Kërkesa erdhi një ditë pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë.

PDK-ja tha se synonte të shmangte pengesat e mundshme në zbatimin e ligjit. Por, Përparim Gruda, i cili kishte iniciuar ndryshimet, këmbënguli se ato nuk kishin asnjë gabim.

Qëndrimet e ndryshme ngritën pyetje për mënyrën se si po merren vendimet brenda partisë, në një kohë kur ajo po përgatitet të zgjedhë udhëheqjen e re.

Më 6 tetor, PDK-ja kishte insistuar që Kuvendi t’i miratonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara përpara se të procedonte me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje i mbështeti ndryshimet, pavarësisht rezervave të shprehura nga kryeministri Kurti për mungesën e analizës së mjaftueshme juridike.

Në votimin përfundimtar, ligji mori 88 vota, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

LDK-ja e kishte kundërshtuar nismën, duke vënë në pikëpyetje efektet juridike të saj.

Pas miratimit të ligjit, Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente të Kosovës, me 81 vota.

Këto zhvillime treguan se PDK-ja dhe partia në pushtet mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje të caktuara, edhe kur LDK-ja zgjedh të mos bëhet pjesë e vendimmarrjes.

Megjithatë, qëndrimet e ndryshme për një ligj nuk dëshmojnë domosdoshmërisht mungesë koordinimi opozitar. Partitë mund të mos pajtohen për çështje ligjore dhe politike, pa qenë të detyruara të veprojnë si një bllok i vetëm.

Për Eminin, sfida kryesore e opozitës shkon përtej votimeve të caktuara.

Ajo vlerëson se partitë opozitare nuk kanë arritur të ndërtojnë një kauzë të përbashkët politike dhe një alternativë bindëse ndaj qeverisjes së Kurtit.

“Normalisht që këto përçarje brenda partive opozitare i pengojnë ato të ndërtojnë një strategji të përbashkët. Por, problemi është edhe më i thellë. Ato po e pengojnë opozitën të ndërtojë një kauzë politike rreth së cilës mund të bashkojë elektoratin”, ka thënë ajo.

Edhe Arifi e sheh mungesën e koordinimit si pengesë për një opozitë më efektive.

Sipas tij, kur njëra parti opozitare ngre një çështje, ndërsa të tjerat nuk e mbështesin ose nuk angazhohen rreth saj, dobësohet mundësia për të ushtruar presion të përbashkët ndaj Qeverisë.

Ai vlerëson se kjo mund t’i krijojë përparësi politike Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia zvogëluar presionin nga kundërshtarët.

“Po vërehen përçarje dhe mungesë mirëkuptimi apo mbështetjeje për parime të caktuara. Kur njëra parti opozitare ngre një çështje, tjetra nuk interesohet dhe anasjelltas. Kjo e dobëson ndjeshëm zërin e opozitës, jo vetëm aktualisht, por edhe në planin afatgjatë, duke i nxjerrë këto parti si të paafta për të ushtruar mbikëqyrje më rigoroze ndaj Qeverisë”, ka theksuar Arifi.

Çfarë humbet opozita duke u marrë me veten?

Përplasjet e brendshme nuk janë domosdoshmërisht tregues se një parti po e humb aftësinë për të vepruar politikisht.

Garat për udhëheqje, kërkesat për llogaridhënie dhe mospajtimet për orientimin politik mund të jenë pjesë e funksionimit të demokracisë së brendshme partiake.

Në PDK, kjo do të testohet përmes zgjedhjeve të ardhshme të brendshme dhe aftësisë për të përcaktuar drejtimin politik pas Hamzës.

Në LDK, mbetet të shihet se si do të trajtohen kërkesat për ndryshim dhe nëse procesi i ardhshëm zgjedhor do t’i adresojë mospajtimet ndërmjet strukturave.

Por, edhe nëse ndryshojnë udhëheqjet, kjo nuk garanton se partitë do të bëhen më efektive si opozitë.

Analistët pajtohen se sfidat shkojnë përtej emrave dhe lidhen me strategjinë, orientimin politik dhe aftësinë për të ndërtuar mbështetje.

Emini paralajmëron se mungesa e një opozite aktive dhe të koordinuar mund të ndikojë në mbikëqyrjen e emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura, në sektorin e drejtësisë, në kontrollin e financave publike dhe në vlerësimin e punës së ministrive.

Arifi, ndërkaq, vlerëson se mungesa e presionit opozitar mund t’ia lehtësojë Qeverisë marrjen e vendimeve pa u përballur me kontroll të mjaftueshëm parlamentar.

Ai thotë se sfidë mbetet jo vetëm miratimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre, për të cilin opozita duhet të kërkojë përgjegjësi.

“Opozita është një lloj pushteti i mbikëqyrjes. Kur ky pushtet i mbikëqyrjes është shumë i brishtë, joaktiv dhe jopërmbajtjesor në ngritjen e zërit për reformat, për ligje, për përmirësime e kështu me radhë, atëherë edhe për Qeverinë do të jetë më e lehtë të lëshojë gabime gjatë rrugës, sepse nuk do të sfidohet nga askush”, ka thënë Arifi.

Emini sheh edhe një rrezik më afatgjatë: humbjen e besimit të qytetarëve se përmes zgjedhjeve mund të sjellin një alternativë tjetër qeverisëse.

“Prandaj, mendoj se rreziku më i madh nuk është thjesht bllokada apo vonesa e reformave. Është dobësimi i demokracisë përmes mungesës së një alternative politike të besueshme”, ka thënë Emini.

Ajo nuk sheh shenja se partitë opozitare janë të gatshme për ndryshime rrënjësore në orientimin e tyre politik dhe paralajmëron se vazhdimi i gjendjes aktuale mund të nxisë largime dhe rreshtime të reja të figurave politike.

Sipas saj, këto lëvizje nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht kalim te partia në pushtet, por mund të përfshijnë edhe largimin nga politika partiake apo bashkimin me subjekte të tjera, siç ka ndodhur edhe më parë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Kim Kardashian ka pranuar se është ndaluar disa herë nga…