Aktakuzë për mashtrim në prokurim publik, dyshohet se u falsifikua certifikata për tenderë mbi 500 mijë euro

23 tetor 2026 | 15:40

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie private, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “M… P…” SH.P.K., dyshohet se më 19 janar 2024 ka paraqitur dokumentacion të rremë në një aktivitet prokurimi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Tenderi kishte të bënte me furnizimin me materiale shpenzuese medicinale nga Lista Esenciale. Në këtë aktivitet, grupi i operatorëve ekonomikë kishte ofertuar për Lotin 1 në vlerë prej 344 mijë e 955.77 eurosh dhe për Lotin 3 në vlerë prej 169 mijë e 12.36 eurosh.

Sipas aktakuzës, në dokumentacionin e ofertës ishte përfshirë një certifikatë ISO 13485, e lëshuar nga autoriteti certifikues “NQA” për prodhuesin kinez “Forlong Medical Co., Ltd”.

Prokuroria pretendon se certifikata kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022, ndërsa në dokumentin e paraqitur dyshohet se data e vlefshmërisë ishte ndryshuar nga 18 tetori 2022 në 18 tetor 2024.

Sipas organit të akuzës, dokumenti dyshohet se ishte përdorur për të dëshmuar përmbushjen e kritereve teknike dhe profesionale të tenderit, me qëllim të vënies në lajthitje të autoritetit kontraktues dhe ndikimit në procesin e vlerësimit të ofertës, në interes të kompanisë.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, është kërkuar që ndaj tyre të shqiptohet edhe ndalimi i pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik.

Rasti lidhet me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje në…