Betohen 515 ushtarë të rinj, Kurti: Mbi 1 miliard euro investime në ushtri gjatë këtij mandati
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e betimit të 515 ushtarë të rinj të FSK-së, e ka cilësuar gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjëherë ushtria e Kosovës. “515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, ka thënë Kurti në fillim të fjalimit të tij.
Ai u është drejtuar rekrutëve të rinj duke theksuar se rrugëtimin e tyre po e nisin duke pasur parasysh sakrificën e brezave të mëparshëm për lirinë e vendit. “Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Kreu i qeverisë ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) mbetet simbol i vendosmërisë së popullit për liri dhe kundërshtim të robërisë. “UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”, është shprehur Kurti.
Ai ka përmendur edhe rajone të ndryshme të Kosovës, duke thënë se secila prej tyre ruan kujtime të rezistencës dhe përpjekjeve për liri. “Nga malet e Drenicës, te Kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku – çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, liria e Kosovës është rezultat i sakrificave ndër breza dhe përbën një përgjegjësi që trashëgohet. “Në këtë tokë, liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet”, ka theksuar kryeministri.
Kurti ka vlerësuar se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se zhvillimi i saj është obligim institucional për garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor. Gjatë fjalimit, ai është zotuar gjithashtu për investime mbi 1 miliard euro në ushtri.




