58 për qind e zviceranëve mbështesin krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë hekurudhore me Londrën
Krijimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë hekurudhore mes Zvicrës dhe Londrës gëzon mbështetje të gjerë në mesin e qytetarëve zviceranë. Sipas një sondazhi të institutit “YouGov”, 58 për qind e të anketuarve janë në favor të kësaj lidhjeje, ndërsa vetëm 8 për qind e kundërshtojnë atë.
Sondazhi është realizuar me 1.048 të rritur, nga 11 deri më 24 shtator 2026, me porosi të organizatave Transport & Environment (T&E), actif-trafiC dhe Shoqatës për Transport dhe Mjedis (ATE). Rezultatet janë ponderuar për të përfaqësuar popullsinë e rritur të Zvicrës, shkruan “swissinfo.ch”, transmeton “albinfo.ch”.
Çmimi dhe kohëzgjatja e udhëtimit mbeten pengesat kryesore për zgjedhjen e trenit. Në mesin e personave që do të zgjidhnin aeroplanin për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, 79 për qind e kanë përmendur shpejtësinë si arsye kryesore.
Ndërkaq, bileta më të lira do t’i nxisnin 61 për qind të të anketuarve ta konsideronin udhëtimin me tren, ndërsa lidhjet e drejtpërdrejta dhe udhëtimet më të shkurtra janë përmendur secila nga 37 për qind e tyre.
Sipas Victor Thévenet nga organizata T&E, shmangia e ndërrimit të trenit në Paris do të mundësonte shkurtimin e udhëtimit nga Gjeneva në Londër, nga më shumë se shtatë orë në rreth pesë orë e gjysmë.
Organizatat kërkojnë investime në stacione dhe tarifa të përballueshme, në mënyrë që transporti hekurudhor të mund të konkurrojë më mirë me atë ajror.
Hekurudhat Federale të Zvicrës (SBB), kompania franceze SNCF dhe operatori Eurostar kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e kësaj lidhjeje. Megjithatë, ende mbeten pengesa për t’u zgjidhur dhe shërbimi nuk pritet të vihet në funksion para viteve 2030.



