‘Mbi 700 operacione në gji në QKUK, synohet ruajtja e tij kur gjendja e lejon’
Klinika e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar mbi 700 ndërhyrje kirurgjike në gji gjatë këtij viti. Rreth 300 prej tyre kanë qenë raste me kancer të gjirit.
Drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, ka bërë të ditur se synohet zbatimi i kirurgjisë që mundëson ruajtjen e gjirit, kur gjendja e pacientes e lejon.
Në emisionin “Shëndeti sot” të “KosovaPress”-it, ai ka shpjeguar se kjo qasje zbatohet te pacientet në fazat e hershme të sëmundjes. Sipas tij, synimi është ruajtja e sa më shumë indeve dhe zvogëlimi i rrezikut të komplikimeve.
“Vetëm këtë vit janë realizuar diku mbi 700 intervenime në gji, por prej tyre kanë rezultuar rreth 300 operacione që kanë qenë me karcinomë të gjirit. Përmes ndërhyrjeve kirurgjike, jo vetëm si risi, por edhe gjatë viteve të fundit, jemi duke u munduar që pacientet t’i trajtojmë përmes kirurgjisë ruajtëse të gjirit. Kjo do të thotë që te pacientet që janë në fazat e hershme të kancerit të gjirit, të mos hiqet i gjithë gjiri ose, nëse hiqet një pjesë e tij, të shmanget heqja e nënsqetullës, për shkak të komplikimeve që mund të shfaqen te gratë. Prandaj, vitet e fundit jemi duke u munduar që sa më shumë të zbatojmë kirurgjinë ruajtëse të gjirit”, ka deklaruar Kolgeci.
Ai u ka bërë thirrje grave që të mos i neglizhojnë ndryshimet në gji dhe të kërkojnë kontroll mjekësor me kohë.
“Kjo është një thirrje për popullatën që të mos hezitoni të paraqiteni te mjeku. Gjithmonë jemi vonë si popull. Kjo nuk ndodh vetëm te ne, por edhe në mbarë botën. Kontrollet e shpeshta ose më të hershme janë një hap i sigurt drejt shërimit të secilit pacient. Bëni kontrolle sa më të shpeshta dhe mos lejoni që frika ta mposhtë arsyen për të shkuar te mjeku. Nëse vëreni çfarëdo ndryshimi në gji, mos hezitoni të kërkoni ndihmë mjekësore”, ka porositur mjeku.
Kolgeci ka theksuar rëndësinë e kontrolleve të hershme për zbulimin e sëmundjes dhe trajtimin në kohë. /KP



