Zgjedhjet në Serbi, EULEX-i monitoron situatën në pikat kufitare me Kosovën
Pjesëtarët e misionit të EULEX-it në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në pikat kufitare me Serbinë.
Shtimi i pranisë së patrullave të misionit evropian vjen si pasojë e lëvizjeve të shumta të qytetarëve nga komuniteti serb, të cilët po udhëtojnë për të votuar në zgjedhjet në Serbi.
Në një njoftim për medie, EULEX-i ka bërë të ditur se po e monitoron situatën në terren.
“Që nga orët e hershme të ditës së sotme të zgjedhjeve në Serbi, EULEX-i ka shtuar praninë e patrullave të Njësisë Policore të Specializuar në afërsi të pikave kryesore të përbashkëta të kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim monitorimin e situatës në terren, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, brenda mekanizmit tre-nivelësh të reagimit të sigurisë”, është thënë në njoftim.



