Hoti kërkon nga presidentja të mos e dekretojë Bashkim Nurbojën në Bordin e BQK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ka përgatitur një kërkesë drejtuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me të cilën kërkon që Bashkim Nurboja të mos dekretohet si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Përmes një postimi në “Facebook”, Hoti ka bërë të ditur se kërkesa bazohet në argumente kushtetuese dhe ligjore, të cilat, sipas tij, synojnë mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të BQK-së.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta nënshkruajnë kërkesën deri nesër, në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i përcillet presidentes.
“Kërkesa, e bazuar në argumentet kushtetuese dhe ligjore të paraqitura në letrën drejtuar presidentes, synon mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të Bankës Qendrore të Kosovës. Ftoj deputetët ta nënshkruajnë kërkesën nesër deri në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i përcillet presidentes. Kjo nuk është çështje partie. Është çështje e pavarësisë së BQK-së dhe respektimit të Kushtetutës”, ka shkruar Hoti.



