Rasti tragjik në Pejë: LV-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe themelimin e një komisioni hetimor
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi viktima, sipas deklarimeve publike, kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet.
Në kuadër të veprimeve pas rastit, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Shefja e grupit parlamentar të LV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në këtë seancë do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për rastin.
“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve”, ka shkruar Nagavci në rrjetet sociale.
Ajo ka theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë.
“Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci.



