Presidentja kërkon hetim urgjent për rastin e Arlinda Zekajt: Çdo dyshim për dështim institucional të marrë përgjigje
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar ngjarjen thellësisht tronditëse dhe duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm nga organet kompetente.
Përmes një reagimi publik, presidentja ka kërkuar llogaridhënie jo vetëm për personat e dyshuar për kryerjen e krimit, por edhe për institucionet që kishin obligim ligjor për mbrojtjen e viktimës.
“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte. Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka nënvizuar se asnjë sinjal alarmi apo kërkesë për ndihmë nuk guxon të neglizhohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë.
“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka shtuar ajo, duke kërkuar veprime urgjente dhe profesionale.
Në reagim theksohet se çdo dështim i mundshëm i institucioneve për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë duhet të marrë përgjigje të qartë ligjore.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, ka deklaruar presidentja.
Në fund të reagimit, ajo u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të së ndjerës, duke theksuar se mbrojtja e jetës së grave mbetet detyrim i panegociueshëm dhe pa asnjë kompromis.



