Lula da Silva fitoi balotazhin në Brazil
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva zgjidhet për mandatin e katërt në këtë post. Kundërkandidati i tij ishte Flavio Boskonaro, mdjali i ish presidentit Bolsonari, që është nën masa arresti.
Luiz Inacio Lula da Silva, është rizgjedhur për një mandat të katërt në postin e Presidentit të Brazilit, pas një gare shumë të ngushtë. Sipas Komisionit Zgjedhor të Brazilit, Lula fitoi në raundin e dytë kundër Flávio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit të djathtë ekstrem Jair Bolsonaro, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak.
Lula mori sipas rezultateve preliminare 51,8 përqind të votave, ndërsa Bolsonaro siguroi 48,2 përqind. Kjo do të thotë se presidenti aktual fitoi me pothuajse 4,4 milionë vota më shumë se kundërshtari i tij. Sociologët vlerësuan se pjesëmarrja më e lartë se sa pritej në zgjedhje ndikoi ndjeshëm në fitoren e Lulës.
Bolsonaro kërkon anulimin e zgjedhjeve
Bolsonaro refuzoi të pranojë humbjen përballë Lulës, duke pretenduar se ka pasur shumë parregullësi.
“Është e pamundur të pranohet ky rezultat”, deklaroi ai në Brazil. “Do të kërkoj anulimin e këtyre zgjedhjeve”, shtoi Bolsonaro.
Ai pretendon se vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë në momentin e fundit, për zgjatjen me dy orë të orarit të qendrave të votimit, përbën bazë për anulimin e procesit zgjedhor. Sipas tij, ky vendim ishte i paprecedentë. Në fakt, të dy kandidatët kishin kërkuar që qendrat e votimit të mbeteshin të hapura më gjatë, megjithëse Bolsonaro e kishte kërkuar këtë vetëm në disa pjesë të vendit. Arsyeja ishte vështirësitë në transportin publik dhe kushtet e këqija të motit në disa rajone të vendit.
Lula: Fitore e demokracisë
Lula, i cili këtë javë mbush 81 vjeç, e cilësoi fitoren e tij si një referendum për demokracinë.
“Brazilianët votuan për të ruajtur demokracinë”, deklaroi ai. Mijëra mbështetës të tij festuan fitoren në rrugët e vendit.
Zgjedhjet në ekonominë më të madhe të Amerikës Latine konsiderohen vendimtare për të gjithë rajonin. Lula dhe Bolsonaro kanë qëndrime të kundërta për një sërë çështjesh, përfshirë marrëdhëniet me ShBA-në, mbrojtjen e klimës dhe politikat sociale.
Flávio Bolsonaro u kandidua me mbështetjen e të atit, Jair Bolsonaro, i cili u dënua me më shumë se 27 vjet burg për tentativë grushti shteti pas humbjes në zgjedhjet e mëparshme. Ish-presidenti ndodhet aktualisht në arrest shtëpiak për arsye shëndetësore.
Sondazhet kishin parashikuar një garë të ngushtë mes Lulës dhe Bolsonaros në raundin e dytë, pasi Bolsonaro fitoi papritur raundin e parë në fillim të tetorit me 47 përqind të votave.
Fundi i valës së djathtë në Amerikën Latine?
Fitorja e Lulës, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e konsideron kundërshtar politik, ndal për momentin zhvendosjen e Amerikës Latine drejt së djathtës politike. Gjatë këtij viti, aleatët e Trumpit fituan zgjedhjet në Kili, Peru dhe Kolumbi.
Presidenti i majtë Lula arriti të fitojë mbështetje falë rezultateve ekonomike. Gjatë qeverisjes së tij, papunësia ra në nivele historikisht të ulëta, varfëria u zvogëlua dhe paga minimale u rrit. Gjithashtu, parlamenti miratoi futjen graduale të javës pesëditore të punës me dy ditë pushimi. Megjithatë, pakënaqësia e qytetarëve për shkak të rritjes së kostos së jetesës mbeti e lartë. /REL



