Arlinda, drejtësinë ta kemi borxh!
Shukrije Rama
Arlinda, ty të vranë, e unë po ta lexoj letrën dhe po mendoj se ti, kur e shkrove, ende shpresoje të shpëtoje.
“Kjo është shpresa ime e fundit.” – Sa frikë duhet të kesh pasur që ta shkruaje këtë fjali. Ta dorëzoje letrën dhe të prisje një telefonatë, një ndërhyrje, dikë që të të thoshte se më në fund mund të flije e qetë. Pastaj lexoj fjalët e tua: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Ti e kishe shkruar edhe këtë, Arlinda. Kishe frikë se do të jepnin llogari vetëm pasi të të merrej jeta. Sot ti nuk je më për t’i dëgjuar përgjigjet e institucioneve.
Arlinda, tash hapet e E PAMJA për ty, njerëzit do të vijnë për ngushëllime. Do të thonë se u dhemb shpirti, se është gjynah, se nuk duhej të ndodhte. Familja jote do t’i dëgjojë, ndërsa vendi yt do të mbetet bosh. Ti kishe nevojë për ndihmë kur ende mund ta hapje derën vetë.
A thua sa gra të Kosovës po ta lexojnë letrën dhe po mendojnë: “Edhe unë kështu jetoj”? Sa kanë frikë nga bashkëshorti, ish-bashkëshorti që i kërcënon? Çfarë t’u themi atyre, Arlinda? “Denonconi”, u themi. “Mos heshtni. Kërkoni ndihmë.” Po pasi të denoncojnë, kush do t’i mbrojë? Kush do të sigurohet se mund të kthehen në shtëpi pa frikë?
Ti kërkove ndihmë. Prandaj sot institucionet duhet të tregojnë çfarë bënë për ty. Si e vlerësuan rrezikun? Çfarë mbrojtjeje të dhanë? Pse ajo mbrojtje nuk arriti të ta ruante jetën? Kanë deklaruar se kanë vepruar. Atëherë le të shqyrtohet gjithçka. Nëse dikush nuk e kreu detyrën, të japë llogari. Të mos ia hedhin fajin njëri-tjetrit derisa në fund askush të mos mbajë përgjegjësi.
Arlinda, për ngushëllime i gjejmë fjalët. Duhet t’i gjejmë edhe njerëzit përgjegjës, vendimet e marra dhe gabimet që mund të jenë bërë. Të mos kalojnë disa ditë zemërim e pastaj të të mbulojë harresa.
Rreziku për jetën e grave duhet të jetë alarm kombëtar. Të kontrollohet urgjentisht çdo rast ku një grua ka treguar se i rrezikohet jeta. Të dihet nëse është e mbrojtur dhe kush përgjigjet për sigurinë e saj. Sepse ndërsa ne flasim për ty, një grua tjetër mund të jetë duke pritur ndihmë me telefonin në dorë. Ajo ende mund ta dëgjojë telefonin duke rënë. Ende mund ta hapë derën. Ende mund të shpëtojë.
Arlinda, ti e shkrove letrën që të jetoje. Ne sot mund ta lexojmë por ty nuk të kthejmë dot. DREJTËSINË ta kemi borxh ty. MBROJTJEN ua kemi borxh grave që sot jetojnë me të njëjtën frikë që jetove ti!



