KMDLNj-ja: Institucionet dështuan ta mbrojnë Arlinda Zekajn, kërkohet përgjegjësi ligjore

27 tetor 2026 | 11:03

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra në mënyrë mizore nga kunati i saj, duke vlerësuar se institucionet përgjegjëse kanë dështuar ta mbrojnë, pavarësisht se ajo kishte kërkuar ndihmë.

Sipas KMDLNj-së, bazuar në informatat e bëra publike, e ndjera kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga Policia, Prokuroria në Pejë dhe vetë kryeprokurori i shtetit. Megjithatë, këshilli ka theksuar se kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Në reagim thuhet se, në letrën që Arlinda Zekaj u kishte dërguar institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit, ajo kishte paralajmëruar se mund të vritej, gjë që, sipas KMDLNj-së, fatkeqësisht ndodhi.

KMDLNj kërkon përgjegjësi institucionale dhe ligjore

KMDLNj-ja e ka cilësuar si të pakuptueshme dhe të papranueshme shqiptimin e masës së sigurisë që ndalonte afrimin e personit të dyshuar në një distancë më të vogël se dy metra nga viktima.

Sipas këshillit, një masë e tillë nuk ofron siguri të mjaftueshme dhe, përkundrazi, mund ta ekspozojë viktimën ndaj rrezikut.

KMDLNj-ja ka vlerësuar se në këtë rast kanë dështuar të gjitha hallkat e zinxhirit të sigurisë, përfshirë Qendrën për Punë Sociale, Policinë dhe Prokurorinë, prandaj ka kërkuar që ato t’i nënshtrohen përgjegjësisë institucionale dhe ligjore.

Kundërshton politizimin e tragjedisë

Këshilli e ka cilësuar të papranueshme përpjekjen për përfitime politike nga kjo tragjedi personale, familjare dhe shoqërore, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

Po ashtu, KMDLNj-ja ka kundërshtuar arsyetimin e krimeve brutale ndaj grave vetëm përmes shifrave statistikore, duke theksuar se qeveria dhe ministritë përkatëse kanë përgjegjësi morale për parandalimin e rasteve të tilla.

Sipas këshillit, përgjegjësia morale kërkon integritet moral e profesional, vetëdije dhe ndërgjegjshmëri nga zyrtarët publikë.

KMDLNj-ja e ka dënuar ashpër vrasjen, duke e cilësuar si krim të rëndë kundër jetës dhe mohimin e së drejtës themelore të njeriut për të jetuar.

“Të drejtat e njeriut nuk janë vetëm akte deklarative të shtetit, por të drejta që detyrimisht duhet të mbrohen nga shteti përmes institucioneve ligjzbatuese”, thuhet në reagim.

Thirrje për të mos paragjykuar hetimet

KMDLNj-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga deklaratat që mund t’i pengojnë hetimet, si dhe nga deklaratat paragjykuese që nuk ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Këshilli ka kërkuar bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit për kapjen e të dyshuarit dhe vënien e tij para drejtësisë, duke rikujtuar se fajësinë ose pafajësinë e personit të akuzuar mund ta përcaktojë vetëm gjykata kompetente, pas shqyrtimit të provave dhe me vendim të formës së prerë.

Në fund të reagimit, KMDLNj-ja ka theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te parandalimi i krimeve ndaj qytetarëve të Kosovës dhe, në veçanti, ndaj grave.

Sipas këshillit, shteti nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme parandaluese, ndërsa dhuna po vazhdon të rritet.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do…