Kurti pret përfaqësuesit shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe Pazari i Ri: Dy mandatet janë përgjegjësi e përbashkët

27 tetor 2026 | 16:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, pas rezultatit të arritur në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvend.

Gjatë takimit, Kurti i ka përgëzuar përfaqësuesit për rezultatin, të cilin e ka cilësuar historik. Ai ka theksuar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare ka dhënë rezultate dhe duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Sipas Kurtit, Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.670 vota, rezultati më i lartë i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi që nga viti 2000. Ai ka thënë se ky rezultat është për 1.233 vota më i lartë se ai i vitit 2020, kur shqiptarët kishin fituar tri mandate.

“Fitorja juaj është dyfish historike, sepse keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë e një ndryshimi të madh”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vlerësuar se rezultati i arritur ka rëndësi të veçantë, duke marrë parasysh sfidat me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në Serbi. Ndër to ka përmendur pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin ekonomik dhe emigrimin.

Kurti i ka falënderuar drejtuesit politikë që kanë vendosur të bashkohen në një listë të përbashkët, kandidatët që kanë marrë përgjegjësi dhe aktivistët që kanë kontribuuar në procesin zgjedhor.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike shqiptare nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të zgjedhjeve të 25 tetorit, por duhet të shërbejë si bazë për angazhim të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe kërkesën për barazi.

“Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Real Madridi dhe Barcelona po e monitorojnë nga afër Pedro…