“Duhet me i shkund këto institucione të lodhura nga letargjia”
Analisti politik Agon Maliqi ka shkruar për nevojën që deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos kufizohen vetëm në fjalimet parlamentare, por të dalin në terren dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për zbatimin e ligjeve kundër dhunës në familje.
Maliqi ka propozuar krijimin e një koalicioni deputetësh, të cilët për javë e muaj me radhë do të vizitonin ministritë, stacionet policore, prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë, për të kërkuar llogari lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
“Deputetët nuk kanë vetëm pushtet legjislativ dhe nuk duhet të rrijnë vetëm nëpër zyra e të mbajnë fjalime. Kanë edhe autoritet moral dhe duhet të dalin në terren”, ka shkruar Maliqi.
Sipas tij, përfaqësuesit e zgjedhur kanë përgjegjësi të veprojnë edhe jashtë Kuvendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për moszbatimin e ligjeve që synojnë mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
“Nëse ligjet për dhunën në familje nuk po zbatohen, deputetët e kanë për detyrim me kërku përgjegjësi dhe me i vetëdijësu institucionet që po punojnë keq”, ka theksuar ai.
Maliqi ka shkuar më tej, duke propozuar angazhim të organizuar të deputetëve që janë të interesuar për çështjen e femicidit, me qëllim ushtrimin e presionit institucional për zbatimin e ligjeve.
“Një propozim është që me u mbledh një koalicion deputetësh të interesuar për çështjen e femicidit dhe për disa javë dhe muaj me ia nxanë derën çdo ministrie, stacioni policor, prokurorie apo gjykate në Kosovë”, ka shkruar analisti.
Sipas tij, deputetët, gjatë këtyre vizitave, duhet t’ua rikujtojnë zyrtarëve përgjegjës detyrimet që kanë sipas ligjit, por edhe të identifikojnë nevojat e institucioneve për mjete shtesë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre.
“Me ua shpjegu zyrtarëve detyrimet ligjore, pasojat e mosveprimit, si dhe e me i pyet se për çfarë mjetesh/instrumentesh shtesë kanë nevojë”, ka shkruar Maliqi.
Aai ka kritikuar atë që e konsideron pasivitet të institucioneve, duke kërkuar veprime konkrete për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të tyre.
“Duhet me i shkund këto institucione të lodhura nga letargjia dhe kultura e mosveprimit”, ka përfunduar Maliqi.



