ASK-ja publikon statistikat e kulturës për vitin 2025, rriten ekspozitat, bien shfaqjet teatrore dhe filmat
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Kulturës për vitin 2025, të cilat paraqesin të dhëna për ekspozitat në galeritë e artit, aktivitetet teatrore, kinematë, si dhe për studentët në fushat që lidhen me kulturën.
Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar 59 ekspozita në galeritë e artit, që paraqet rritje prej 59,5 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Numri i vizitorëve në këto ekspozita arriti në 47 mijë, me rritje prej 10,3 për qind.
Ndryshe nga galeritë e artit, aktivitetet teatrore kanë shënuar rënie.
Gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 369 shfaqje, premiera dhe ngjarje të tjera në teatro, apo 34,6 për qind më pak se një vit më parë.
Po ashtu, numri i spektatorëve ka rënë për 20,3 për qind, duke arritur në 40 mijë e 152.
Rënie është regjistruar edhe në kinematografi: Gjatë vitit 2025 janë shfaqur gjithsej 748 filma vendorë dhe të huaj, 5,6 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, numri i shikuesve ka arritur në 156 mijë e 221, me rënie prej 5 për qind.
Femrat dominojnë në disa fusha të studimit që lidhen me kulturën
Statistikat e ASK-së tregojnë se femrat përbëjnë shumicën e studentëve të regjistruar për herë të parë në vitin akademik 2025/2026 në disa fusha të studimit që lidhen me kulturën.
Përqindja e femrave në këto fusha ishte 64,3 për qind. Pjesëmarrja më e lartë e tyre është regjistruar në gjuhë, me 79,9 për qind, pasuar nga gazetaria dhe informimi me 74,9 për qind dhe artet me 71,3 për qind.
Në arkitekturë dhe ndërtim, femrat përbënin 51,9 për qind të studentëve, ndërsa në shkencat humane 48,3 për qind. Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në fushën e sportit, ku femrat përbënin 29,9 për qind të studentëve.
Sa i përket aktiviteteve në internet gjatë tre muajve të fundit të vitit 2025, analiza sipas gjinisë tregon se 14,9 për qind e femrave e përdorin internetin për shërbime të transmetimit të muzikës, si Spotify.
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja ofrojnë një pasqyrë të zhvillimeve në sektorin e kulturës në Kosovë gjatë vitit 2025, duke evidentuar rritjen e aktiviteteve në galeritë e artit dhe rënien e numrit të shfaqjeve teatrore, filmave të shfaqur dhe audiencës së tyre.



