Kryeministri slloven i kërkon Serbisë dorëzimin e arkivave të UDB-së: Pa to, nuk e mbështesim në rrugën drejt BE-së
Zgjedhjet në Serbi, në të cilat ka fituar Lista Studentore, kanë nxitur reagime të shumta në rajon. Edhe para se të niste formimi i një qeverie të re serbe, kryeministri slloven, Janez Jansha, u ka bërë një kërkesë autoriteteve të reja, duke paralajmëruar se Sllovenia nuk do ta mbështesë përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian pa dorëzimin e arkivave të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, raporton “Dnevnik.hr”.
Në vend që t’i përgëzonte fituesit e zgjedhjeve në Serbi, Jansha ka shkruar se Sllovenia do ta mirëpriste vendimin e autoriteteve të reja për të përshpejtuar negociatat për anëtarësim në BE, por ka vendosur një kusht.
“Ne nuk do të japim pëlqimin për asnjë përparim derisa Serbia t’ia dorëzojë Sllovenisë të gjitha arkivat e UDBA-së, SDV-së, JNA-së, ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të ish-RSFJ-së që lidhen me Slloveninë”, ka shkruar Jansha.
Pas këtij postimi në platformën “X”, ai ka shpërndarë edhe një mesazh të Igor Omerzës lidhur me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila, pas fitores së Listës Studentore, ka deklaruar se dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura për Serbinë.
Postimi i Omerzës i referohet librit të tij për Martën Kos, në të cilin ai pretendon se komisionerja ka bashkëpunuar me UDBA-në.
“Është e mundur që edhe ky dokumentacion të gjendet. Bashkimi Evropian ka kërkuar prej kohësh hapjen e të gjitha arkivave sekrete të policisë politike, përfshirë edhe ato serbe. Ata do të duhet ta bëjnë këtë pa mua ose kryeministrin Janša. Sigurisht, kryeministri ka theksuar se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të sqaruar se si kanë ndodhur këto gjëra në Slloveni, sepse edhe sot nuk e dimë saktësisht se kush kanë qenë të gjithë bashkëpunëtorët e UDBA-së”, ka shkruar Omerza.
Marta Kos nuk ka komentuar këto akuza, shkruan “24ur”, por i ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet se ka punuar si informatore për shërbimin sekret jugosllav.
Ndërkaq, deputeti dhe sekretari i partisë Svoboda, Matej Grah, ka kritikuar qëndrimin e Janshës, duke e akuzuar atë se po e shfrytëzon situatën për përplasje të brendshme politike.
“Nuk kam problem me këtë. E dimë se Trumpi u dogj kur hapi disa dokumente dhe ndoshta edhe zoti Jansha do të digjet. Gjëja më problematike është se kryeministri Jansha po e shfrytëzon qartë këtë situatë, këtë fitore të demokracisë, për përballje të brendshme politike me ata me të cilët nuk është pajtuar kurrë dhe ndoshta nuk do të pajtohet kurrë”, ka thënë Grah.



