Arlindën e vranë dora e krimit dhe shteti që refuzoi ta dëgjonte

29 tetor 2026 | 10:17

Shkruan: Astrit Gashi 

Arlinda Zekaj nuk arriti ta fitojë betejën me jetën, por ajo bëri diçka më të madhe dhe më tronditëse me vetë flijimin e saj, ajo zhveshi lakuriq të vërtetën e hidhur, duke zbuluar sheshit se si shteti komandohet nga krimi dhe se si një grua e vetme shqiptare, me forcën e shpirtit të saj, mund ta sfidojë dhe ta demaskojë një sistem të kalbur.

Arlinda ishte mishërimi i forcës hyjnore të gruas shqiptare. Arlinda mbarte në zemër të drejtën e shenjtë dhe të pacenueshme të çdo nëne që të rrisë fëmijën e saj, ta mbrojë nga errësira dhe t’i dhurojë të ardhme.

Por Arlinda u flijua u bë gjeniu i heshtur i një lufte të pabarabartë, duke u sakrifikuar që përmes gjakut dhe britmës së saj të tronditet nga themelet një shtet i tërë dhe një sistem i kalbur drejtësie.

Le të jemi të qartë dhe të drejtpërdrejtë së Arlinda nuk u vra vetëm nga dora e krimit.

Arlinda u vra nga mungesa e shtetit, nga indiferenca institucionale, nga korrupsioni dhe nga një sistem i vdekur drejtësie që mbylli sytë para lutjeve të saj për jetë.

Të lexosh dhe të dëgjosh lutjet e saj të dëshpëruara për të mbijetuar, për të kërkuar drejtësi, është një thirrje që nuk lë vend për heshtje.

Sot, kjo thirrje kërkon veprim urgjent! Presidentja e vendit duhet të reagojë urgjent!

Femrat shqiptare nuk duhet të përulin kokën ato duhet të marrin shembullin e Arlindës se si luftohet për dinjitet, për të drejtat e gruas dhe për mbrojtjen e fëmijëve.

Por kjo betejë kërkon pastërti dhe guxim. Sot, rasti i Arlindës nuk është një arenë për gazetarë që nuk e njohin peshën e kronikës së zezë, e as për individë që përpiqen të përfitojnë pa pasur kurrë kapacitetin, forcën shpirtërore dhe pastërtinë e saj që na la pa fjalë.

Sot, sakrifica e Arlindës kërkon llogaridhënie totale. Nuk ka më vend për fjalë boshe. Ne kërkojmë.!

Protestë masive mbarëpopullore në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit të gruas.

Dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Donika Gërvalla e cila pa fije turpi zgërdhihej në seancën për Arlindën të Ministrit Xhelal Sveçla dhe të Drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha.

Shkarkimin dhe ndëshkimin e merituar të të gjithë zinxhirit komandues në Pejë në polici, në gjykata dhe në prokurori që me papërgjegjësinë e tyre i vunë vulën kësaj tragjedie.

Arlinda shkoi që ky sistem i kalbur të ndreqet përfundimisht. Gjaku i saj të mos jetë i kotë. Përkulemi me lot në sy dhe me shpirt të copëtuar para kujtimit të saj, duke u betuar se zëri i saj do të jehojë derisa drejtësia të triumfojë!

Pusho në paqe, Arlinda, dhe faleminderit që u bëre simboli i përjetshëm i drejtësisë për gruan shqiptare!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rusia rrëzoi qindra dronë ukrainas gjatë natës, ndërsa forcat ruse…