UÇK NA BASHKOI SËRISH DHE E VURI SHTETIN NË VEPRIM

29 tetor 2026 | 13:08

Shkruan: Hajdin Abazi

Më në fund, sikurse u njoftua dje, u mbajt takimi i parë i Grupit Punues.
Ky takim është tregues se shteti është vënë në veprim.
Dhe shkaku themelor është UÇK-ja.

Edhe 27 vite pasi e përmbylli misionin e vet të shenjtë të lirisjelljes dhe krenare u largua nga skena e veprimit faktik, UÇK-ja duket se ka një cilësi magjike efektet e së cilës jo vetëm nuk u shuan gjatë këtyre tri dekadave, por ato u shfaqën nga 16 shtatori me kaq fuqi kushtrimtare thuaja sa ç’e pati pas sakrificës madhore të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari e cila e zgjoi dhe e mobilizoi tërë kombin shqiptar.

UÇK-ja e zgjoi ndërgjegjen e politikanëve shqiptarë të të gjitha partive, sepse UÇK-ja ishte dhe është e të gjithëve që e donin dhe e duan lirinë, pa asnjë dallim e pa asnjë përjashtim.

Karakteri i saj gjithëkombëtar dhe me themel lirinë politike, kombëtare e njerëzore që nga lindja e saj ishin të kristalta dhe ju qëndroi besnike me gjithë sfidat dhe yshtjet nga regjimi pushtues i Serbisë për ta nxitur të devijonte.

Ndaj dhe lufta që bëri populli shqiptar që iu nënshtrua gjenocidit nga Serbia, pra lufta e tij çlirimtare e bërë përmes UÇK-së ishte ekskluzivisht mbrojtëse dhe absolutisht e drejtë, madje aq e drejtë sa kundër të njëjtit objektiv për ndaljen e gjenocidit dhe për mbrojtjen e qytetarëve civilë shqiptarë ndërhyri edhe Aleanca Veri-Atlantike – NATO.

Dhe çlirimi, liria, shtetbërja, pavarësia dhe demokracia, rendi e drejtësia janë vlerat e Kosovës që në themel e kanë kontributin, sakrificën, rezistencën dhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar që e bëri UÇK-ja.

Megjithatë, duhet për të qenë korrekt, se pas ekzaltimit triumfal me arritjen e lirisë, u shënua një rënie e nivelit të ndërgjegjshmërisë për vlerat madhore të UÇK-së. Besohej se ato ishin të paprekshme, se UÇK-ja e kishte përmbyllur misionin e vet historik. Ashtu edhe ishte.

Porse kishte diçka që mund ta turbullonte kujtesën dhe pamjen madhështore të UÇK-së. Kjo edhe ndodhi: uzurpimet, abuzimet e përfitimet e ndryshme në emër të UÇK-së. Këto veprime e zbehën autoritetin dhe lavdinë e UÇK-së në sy të atyre që prekeshin. Kështu u krijua një antipati për secilin çlirimtarë thuaja pa dallim. Ndër të tjera, sepse nga vetë çlirimtarët nuk u denoncuan uzurpatorët dhe keqbërësit. Një pengesë mund të ketë qenë se drejtësia e UNMIK-ut në sy të çlirimtarëve nuk ishte e paanshme, po dukej sikur kishte një disponim kundër UÇK-së.

Aq më keq, një konflikt midis personaliteteve të njohura drejtuese të UÇK-së u shfaqën konflikte të ulëta, ku akuzat e ndërsjella ishin aq të rënda, sa u zbeh jo vetëm nga jashtë, po edhe nga ata që ishin me përgjegjësi të niveleve më të larta politike e komanduese.

Ky konflikt absurd bëri që të degjenerojë opinioni kundrejt UÇK-së. Madje, në disa raste, organizatat e dala nga lufta si ajo e veteranëve dhe e invalidëve, të konsideroheshin sikur kërkonin vetëm privilegje, ani se ishin tejet të diskriminuara.

Ndonëse e gabuar dhe e padrejtë, u krijua një klimë thuaja anti-UÇK. Kjo bëri që publikisht të shprehen mendime, opinione e narrativa që sinkronikisht e lenin më harresë lajtmotivin e UÇK-së – lirinë, po e vënin në plan të parë ndonjë gabim, i cili i vihej si eksponent vetë UÇK-ja.

Kjo klimë u bë e përshtatshme për ndërfutje të inteligjencave të ndryshme anti-Kosovë, të cilat vepronin she rekrutonin dëshmitarë të rrejshëm (AKI pari incizuar disa raste të tilla nga sigurimi serb dhe ato u patën publikuar).

Kështu u krijuan artificialisht, prej papjekurisë sonë e prej inteligjencave anti-Kosovë, parakushtet që të shfaqej raporti famëkeq i Dick Martit me akuza njollosëse për UÇK-në sikurse ishte trafikimi i organeve.

Kjo qe baza e ngritjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata që asokohe kishin përgjegjësi shtetërore nuk u treguan në krye të detyrës që të merrte shteti ynë përgjegjësinë bashkë me EULEX-in që t’i hetonte akuzat e ngritura nga D. Marti e që i miratoi Këshilli Evropian.

Shteti ynë, institucionet qeveritare, Kuvendi e Presidenca ishin zhytur më klimën e krijuar me pa të drejtë kundër UÇK-së, sa që nuk e shquan dot se çka realisht po bënin.

Dhe vitet e arrestimit e procesit gjyqësor të katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk u kuptua se ç’rrezik po i kanosej drejtësisë së luftës sonë çlirimtare, qoftë nga besimi se ajo nuk mund të njollosej e qoftë nga motive të tjera.

Tash kjo gjendje, me Rezolutën e Kuvendit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe me krijimin e Grupit Punues, i përket së kaluarës, sepse Kosova ndodhet në një rrethanë që nuk e priste. U kuptua se edhe një luftë e drejtë çlirimtare sikurse ajo e Kosovës, po nuk u mbrojt vazhdimisht nga shteti, nën ndikimin e shteteve të tjera që nuk e duan lirinë e Kosovës mund t’i ofrojnë drejtësisë të dhëna të manipuluara që e bëjnë dioptrinë e drejtësisë ta shoh jo korrekt dhe të shpreh verdikt që nuk është në përputhje me realitetin dhe të vërtetën.

Duke e parë strukturën gjithëpërfshirëse partiake dhe të personaliteteve të përfshira në Grupin Punues, mund të arrihet në konstatimin se ai është kredibil. Këtë e përforcojnë edhe deklaratat e z. Konjufca si drejtues, për strategjinë e shtetit në procesin e Apelit.

Kështu, UÇK-ja duket se me procesin e Hagës u bë një mobilizues i kombit, për të na zgjuar, ndërgjegjësuar dhe angazhuar në mënyrë legjitime për të ndihmuar drejtësinë përmes dëshmive për pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptarë, luftë e cila përfundoi me heqjen e vargonjve të robërisë dhe të shtetformimit të Kosovës.

Natyrisht, kjo po bëhet në kontekstin aktual, përmes procesit të Hagës në Apel ndaj katër ish drejtuesve të UÇK-së.

Ajo që mund të thuhet si përfundim është se Kosova u zgjua nga letargjia ku kishte rënë duke e kuptuar se përtej ndonjë rasti individual, përtej atyre rasteve fatkeqe, qëndron interesi i tërë kombit, i shtetit, i lirisë sonë, i secilit dhe i çdo njërit.

U kuptua më qartë se kurrë se të jesh indiferent ndaj vlerave themelore të lirisë sonë që përmblidhen në luftën legjitime të UÇK-së është të lësh lirinë tënde në duart e atyre që nuk e duan lirinë Kosovës.

U kuptua, si asnjëherë, se UÇK-ja, duke qenë vlerë themelore e lirisë dhe e shtetit tonë ju përket të gjithëve e secilit dhe se rreth saj mund të bashkohemi – në një bashkim ku secili jemi të barabartë dhe me dinjitet.

Kështu po përmbushet një objektiv real i UÇK-së: e vërteta e lirisë sonë po bëhet pjesë vlerore e secilit nga ne, ashtu sikurse ishte, sikurse duhej të ishte dhe sikurse është.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e…