Hoti: Çdo neglizhencë në rastin e Arlindës do të trajtohet
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se çdo neglizhencë apo përfshirje e mundshme në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai ka thënë se institucionet janë duke ndërmarrë masa dhe se rasti duhet të hetohet në detaje, duke theksuar se askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia nëse konstatohet përfshirja e tij.
“Të jeni të sigurt që çfarëdo që është në dorën e institucionit që udhëheq unë, si ministri, pa kursyer asgjë dhe askënd, do të veprojmë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Jam shumë i bindur që edhe Qeveria e Kosovës, siç e dini edhe nga diskutimet publike, është duke marrë masa. Po bëhen raporte dhe po hetohet rasti, sepse, pavarësisht dhimbjes që kemi, ne duhet ta hetojmë rastin detaj për detaj. Jam i bindur se çdo hallkë e zinxhirit ku ka pasur neglizhencë apo përfshirje të qëllimshme në këtë rast do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.
Këto deklarata Hoti i ka bërë në tryezën e diskutimit me temën “Rishikimi i politikave familjare të përgjegjshme ndaj gjinisë në Kosovë: Implikimet financiare, praktikat rajonale dhe alternativat e politikave”, të organizuar nga Instituti Riinvest dhe Forumi Ekonomik i Grave.



