Supremja vendos: Policia nuk mund t’ua mbajë shoferëve patentë-shoferët për më shumë se tetë ditë

30 tetor 2026 | 11:34

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar përcaktimin që patentë-shoferi të mbahet deri në përfundimin e masës së ndalimit të drejtimit të mjetit.

Gjykata ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit janë dy institute të ndryshme juridike, të cilat nuk duhet të ngatërrohen gjatë zbatimit të tyre.

Sipas konstatimit të Gjykatës Supreme, mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.

Kolegji i Gjykatës Supreme, në një çështje të konfliktit administrativ, ka vendosur lidhur me padinë e 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ.

Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë. Për rrjedhojë, kushtëzimi i kthimit të dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, është në kundërshtim me ligjin.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, një akt nënligjor nuk mund t’i zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.

Ndërkaq, Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ. Sipas vlerësimit të saj, këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa tejkaluar autorizimet e përcaktuara me ligj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ajo, nuk la vend për përgjegjësi për veten e saj,…