Hamiti: Në opozitë, LV-ja fajësonte qeverinë për gjithçka, ndërsa në pushtet fajëson qeveritë e kaluara
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LV), duke e akuzuar për mungesë përgjegjësie për qeverisjen dhe dështimet e saj.
Hamiti ka thënë se, kur ishte në opozitë, LV-ja ia atribuonte qeverisë përgjegjësinë për gjithçka, ndërsa tani që është në pushtet, fajin për dështimet ua lë qeverive të mëparshme.
Sipas tij, LV-ja e ka marrë pushtetin për të përfituar nga privilegjet që ai ofron, por jo për të mbajtur përgjegjësi ndaj vendit dhe qytetarëve.
“LV-ja e ka marrë qeverinë për të marrë privilegje të pushtetit, por jo përgjegjësi për vendin dhe qytetarët e tij. Përgjegjësinë dhe fajin i kanë të tjerët, duke përfshirë votuesit e saj”, ka shkruar Hamiti në “Facebook”.
Ai e ka cilësuar LV-në si të papërgjegjshme si në opozitë, ashtu edhe në pushtet.
“Të papërgjegjshmit nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë”, ka shkruar Hamiti.



