Haxhiu takohet me përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, me të cilat ka diskutuar për avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për agjendën gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.
Ajo ka shprehur vullnetin dhe përkushtimin që gjatë kësaj legjislature të avancojë më tej këtë agjendë, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave.
“Shpreha vullnetin dhe përkushtimin tim që gjatë kësaj legjislature ta çojmë më tej këtë agjendë, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave, duke u siguruar që barazia gjinore të zërë vendin që i takon në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit”, është shprehur Haxhiu.
Kryeparlamentarja ka vlerësuar gjithashtu punën e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe 106 organizatave anëtare të tij në avancimin e të drejtave të grave.





