Ministri i Brendshëm i Shqipërisë: 347 persona u lënduan gjatë protestave
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, ka deklaruar se 347 persona janë lënduar gjatë protestave, mes tyre pjesëtarë të Policisë së Shtetit, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.
Sipas tij, 200 nga të lënduarit janë punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa 107 janë protestues. Gjatë protestave janë lënduar edhe kalimtarë, përfshirë gazetarë që po raportonin nga vendi i ngjarjes.
“Nuk dua të bëj diferencime. Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, ka deklaruar Demo.
Ministri i ka cilësuar këto shifra si një “këmbanë alarmi”, duke theksuar se qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore dhe reagimi proporcional në rastet kur konstatohet dhunë.
Demo ka folur edhe për rastet kur dyshohet se pjesëtarë të policisë kanë tejkaluar kompetencat gjatë protestave. Sipas tij, shtatë efektivë janë pezulluar dhe janë vënë nën hetim për veprimet e tyre.
“Edhe në ato raste kur punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë vendime personale që kanë kaluar masën, Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë. Shtatë janë pezulluar dhe janë nën hetim për veprimet që kanë ndërmarrë”, ka thënë Demo.
Ai ka shtuar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po trajton dhjetëra raste të referuara nga qytetarët dhe po bashkëpunon me Prokurorinë e Tiranës për hetimin e ngjarjeve. Sipas ministrit, kjo dëshmon angazhimin për transparencë dhe përmirësimin e marrëdhënieve të Policisë së Shtetit me qytetarët.
Demo ka thënë se gjatë protestave është konstatuar dhunë jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj subjekteve private, institucioneve të pavarura dhe individëve të pranishëm në tubime.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për presionin ndaj punonjësve të policisë në media dhe rrjetet sociale. Sipas tij, janë konstatuar kërcënime nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanale për identifikimin e pjesëtarëve të policisë, si dhe kanë bërë thirrje për sulme ndaj tyre.
Në deklaratën e tij, ministri ka përsëritur se nga protestat janë raportuar gjithsej 347 persona të lënduar, përfshirë 200 punonjës policie, 107 protestues, kalimtarë dhe gazetarë. Ai ka theksuar se menaxhimi i protestave duhet të bëhet duke respektuar të drejtën për tubim paqësor dhe parimin e proporcionalitetit në reagimin policor.
269 të mitur janë shoqëruar nga policia
Ministri Demo ka bërë të ditur se gjatë protestës janë shoqëruar nga policia 269 të mitur, duke e cilësuar përfshirjen e tyre në tubime të tilla si një fenomen shqetësues që kërkon masa parandaluese.
Sipas tij, të miturit janë vendosur në vijën e parë të përplasjeve, ndërsa personat që qëndronin pas tyre kanë mbetur në prapavijë.
“I kanë vënë ata në vijën e parë të dhunës, duke qëndruar vetë përpara këtyre të miturve. Tregon qartazi se është shqetësues numri i të miturve që morën pjesë në protestë. Ka pasur 269 të shoqëruar, nën 18 vjeç. Është një fenomen të cilit duhet t’i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar, në mënyrë që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i javëve të fundit. Është miratuar akti i ri normativ për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme”, ka deklaruar Demo.



