Për një Strategji funksionale nga shteti i Kosovës për mbrojtjen e shtetit dhe të UÇK-së e të luftës së saj në Hagë
Vlerësoj se një Strategji funksionale nga shteti i Kosovës, për mbrojtjen e shtetit, si dhe për mbrojtjen e UÇK-së e të luftës së saj në Hagë, për të fituar pafajësinë e merituar në gjyqin e apelimit, gjyq i cili është personifikuar në luftëtarët udhëheqës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duhet të mbështetet në një parim themelor të tillë: shteti i Kosovës duhet të krijojë kushtet më të mira juridike, profesionale, dokumentare dhe institucionale që çështja në apel të shqyrtohet mbi bazën e provave, të së drejtës dhe të standardeve të gjykimit të drejtë.
Shqiptarët në asnjë çast nuk kanë kërkuar të ndërhyjnë në gjykimin e drejtë të çështjes. Por tani duhet të veprojnë sepse u vërtetua plotësisht se gjyqi në Hagë nuk është gjyq drejtësie siç kemi menduar, por është një gjyq politik dhe interesash kundërshqiptare.
Ne tashmë duhet të jemi syçelë. Nuk bën të shkojmë edhe më tej me mendimin le të bëhet drejtësia. Sepse me këtë mendim krijuam gjykatën dhe me këtë mendim ecëm nëpër 6 vite padrejtësie në këtë gjykatë. Gjithnjë duke besuar se në fund do të jepet drejtësi.
Por në fund u dha një dënim maksimal i mundshëm kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë që e barti atë duke u personifikuar në katër portrete luftëtarësh siç janë HashimThaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët unë e di mirë se nuk i kanë askujt asnjë borxh. Por kanë luftuar për të çliruar atdheun dhe popullin e tyre, për çka kanë gjithë lavdinë e dheut të shqiptarisë e të gjithë shqiptarëve.
Dhe jam i bindur se në këtë gjyq nuk ka gabime, siç tentohet të bëhen justifikime nga eksponent të ndryshëm, që duan të justifikojnë atë gjykim. Ai gjykim është një krim. Është një krim me paramendim. Çdo vlerësim a etiketim tjetër është i pa saktë ose bëhet për mashtrim.
Në atë gjyq, mbrojtja ka qenë jo e vlefshme, pasi për mua thjeshtë avokatët kanë qenë të pranishëm.
Prandaj edhe çdo vlerësim i të ashtuquajturave prova është i kundërshtueshëm dhe në shkelje të plotë procedurale. E këtë duhet ta marrë përsipër ajo Strategji e shtetit të Kosovës që po pretendohet të ndërtohet dhe që uroj të ndërtohet.
Në vijim shteti i Kosovës duhet me shumë seriozitet të përgatisë mbrojtjen e vetvetes, mbrojtjen e historisë së Kosovës, mbrojtjen e lavdisë së luftës për çlirim dhe mbrojtjen e të ardhmes së shqiptarëve në Kosovë e jashtë saj.
Për asnjë çast askush nuk duhet ta çojë në mendje se po punon për të mbrojtur ata katër luftëtarët që janë të marrë peng në Hagë.
Ata katër luftëtarët që janë të marrë peng në Hagë janë në të drejtën dhe detyrën e tyre. Mund të ishin në varrezat e dëshmorëve, por plumbi i ka kursyer për të vijuar luftën edhe sot që të na mbrojnë ne qytetarëve që nuk duam të jemi të pushtuar dhe që e nderojmë luftën e tyre.
Prandaj nëse vërtetë po përgatitet një Strategji shtetërore për të dalë përballë këtij gjyqi, do të rekomandoja që ajo të ishte e shtrirë në shumë drejtime të koordinuara midis tyre, siç mund të jenë: drejtimi juridik, drejtimi dokumentar, drejtimi institucional, drejtimi diplomatik, drejtimi shkencor dhe drejtimi shoqëror. E të gjitha këto duhet të kenë një synim të përbashkët, por edhe kufij të qartë, në mënyrë që mbështetja e Kosovës ta fuqizojë dhe ta kthjellojë mbrojtjen nëpërmjet besueshmërisë sëargumenteve të përpunuara e të detajuara, për ta bërë të paqenë gjykimin dhe dënimin politik të Kosovës e të luftës së saj për liri dhe të luftëtarëve që e bartën atë luftë.
E në këtë rast ne nuk kërkojmë më shumë se atë që na takon: Pafajësi të plotë. Dhe për këtë ne nuk duhet të shpresojmë, por të luftojmë fortë për t’i mundur armiqtë si dje në luftë dhe për të marrë drejtësinë.
Me shpresë nuk ka të ardhme. Me veprim serioz e të përkushtuar, drejtësia nuk ka asnjë mundësi të mos bëhet. E pikërisht me këtë ide duhet të ndërtojmë atë Strategji, në të cilën duhet të vënë vulën e tyre të gjitha institucionet shtetërore, politike, shkencore, arsimore, të drejtësisë, të arsimit, të sigurisë, të qytetarëve etj. Dhe të gjithë të ndihen përgjegjës përballë kësaj beteje, që për fat të keq duhet ta bëjmë duke u përballur me armiqtë, me miqtë që kanë humbur seriozitetin e miqësisë, me padrejtësinë e thirrur në drejtësi, si dhe me prapaskenat e kundërshqiptarizmit, që më duket se janë bërë shumë aktive si në Konferencën e Londrës më 1913 e atë të Versajës më 1919. Sot padrejtësitë e Londrës dhe Versajës po na shfaqen e godasin në Hagë.
Ta bindim veten se nuk kemi arsye t’i themi askujt na fal. Të tjerët është me vend që më së fundi të na thonë ne shqiptarëve: Na falni.
Është e domosdoshme që të ndërtohet një proces shumë më i organizuar për mbrojtjen e të drejtave të luftës tonë çlirimtare dhe të atyre burrave të marrë peng në Hagë që po e mbrojnë drejtësinë dhe pastërtinë e asaj lufte.
Është detyrë e çdo shqiptari, shtetar ose jo, shkencëtar ose jo, i arsimuar ose jo, të rreshtohemi të gjithë në llogore bashkë me ata për ta bërë të pathyeshme të drejtën tonë dhe pastërtinë e luftës e të historisë tonë; duke e bërë të paqenë atë vendimin gjyqësor të 16 shtatorit 2026 në Hagë, që tenton të na njollosë historinë.
E kjo e bën të domosdoshme që Kosova të mos mjaftohet vetëm me reagime politike, protesta apo deklarata publike. Duhet të kalojë nga reagimi ndaj vendimit te një plan i organizuar veprimi.
Unë nuk marr përsipër të ndërtoj vetë një strategji për këtë çështje jetike për shqiptarizmin. Por e di se si duhet të jetë ajo strategji. Prandaj do t’i jap të drejtën vetes, që kur kjo strategji të publikohet, të them fjalën time për të.
Prof. Dr. Kudusi Lama – Gjeneral në pension



