Pas rënies së Vuçiqit, Prokuroria serbe rihap rastin e Radoiçiqit – Pse u la i lirë pas sulmit në Banjskë?

30 tetor 2026 | 21:28

Nën mbikëqyrjen e Komisionit të Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë, me udhëzim të kryeprokurores Zagorka Dolovac, është edhe rasti kundër biznesmenit kontrovers Milan Radoiçiq, i dyshuar për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet rrethanave në të cilat Radoiçiqit nuk iu caktua masa e paraburgimit pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pavarësisht rëndësisë së veprave penale për të cilat dyshohet.

Sipas informacioneve të portalit nova.rs, një nga arsyet e përmendura për moscaktimin e paraburgimit ishte edhe fakti se prokurori i atëhershëm, Nikola Panteliq, në kërkesën e tij për caktimin e kësaj mase kishte paraqitur vetëm një rrethanë që mund të tregonte se Radoiçiqi, nëse do të qëndronte i lirë, mund ta pengonte procedurën, shkruan Telegraf.

A do ta dorëzojë Lista Studentore Milan Radoiçiqin te autoritetet e Kosovës?

Bëhej fjalë për rrezikun e arratisjes, ndonëse kjo rrethanë konsiderohej e pabazuar, pasi Radoiçiqi ishte dorëzuar vetë dhe ishte paraqitur vullnetarisht për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike.

Komisioni pritet të shqyrtojë edhe arsyet përse prokurori Panteliq nuk iu referua tri rrethanave të tjera që mund të justifikonin caktimin e paraburgimit: rrezikut të përsëritjes së veprës penale, ndikimit te dëshmitarët dhe shqetësimit të opinionit publik.

Panteliqi ndërkohë është avancuar në pozitën e shefit të Prokurorisë së Lartë Publike në Pançevë.

Gjykata e refuzoi kërkesën për paraburgim

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të Radoiçiqit, prokurori kishte kërkuar që atij t’i caktohej paraburgimi deri në 30 ditë. Në kërkesë ishte theksuar edhe se ai herë pas here qëndronte jashtë vendbanimit të tij për më shumë se 90 ditë, pa e raportuar këtë.

Megjithatë, gjyqtarja që trajtonte rastin e refuzoi kërkesën, duke vlerësuar se lidhjet personale, familjare dhe pasurore të Radoiçiqit me Beogradin, paraqitja vullnetare në polici dhe dorëzimi i pasaportës ishin të mjaftueshme për të garantuar praninë e tij në procedurë.

Në vend të paraburgimit, ndaj tij u vendosën disa masa kufizuese. Atij iu ndalua largimi nga Serbia pa miratimin e gjykatës, iu konfiskua përkohësisht pasaporta dhe iu caktua detyrimi që të paraqitej rregullisht në polici.

Interpoli e kërkon për Banjskën, Radoiçiq del me djalin e Vuçiqit në tubim zgjedhor në Kragujevc

Gjithashtu, gjykata ia ndaloi udhëtimin drejt Kosovës, duke e paralajmëruar se mund t’i caktohej paraburgimi nëse shkelte ndalesat dhe detyrimet e përcaktuara.

Kryeprokurorja Zagorka Dolovac kishte nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për të gjitha 87 prokuroritë në Serbi, duke kërkuar që anëtarëve të një komisioni të posaçëm t’u mundësohej qasja në çdo lëndë që ata kërkojnë të shqyrtojnë.

Mbikëqyrja përfshin veçanërisht rastet që lidhen me veprat penale kundër jetës dhe trupit, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, të drejtave zgjedhore, ekonomisë, rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë, si dhe detyrës zyrtare. Moszbatimi i këtij udhëzimi përbën shkelje disiplinore.

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Sulmi i armatosur në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur u vranë edhe tre pjesëtarë të këtij grupi: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.

Pas ngjarjeve, Radoiçiqi mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur.

Përmes avokatit të tij, Goran Petronijeviq, ai deklaroi se më 24 shtator kishte shkuar me bashkëkombësit e tij në veri të Kosovës, me synimin për të inkurajuar popullin serb në rezistencën ndaj Qeverisë së Albin Kurtit dhe për të realizuar, siç ishte shprehur, ëndrrën për lirinë e popullit serb.

Ai pretendoi gjithashtu se Beogradi nuk kishte pasur dijeni për qëndrimin e tij në Kosovë.

Ndërkohë, derisa Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, disa serbë të përfshirë në rastin e Banjskës janë dënuar në Kosovë me vite të gjata burgimi, ndërsa dy prej tyre me burgim të përjetshëm.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar…