A PO SYNON QEVERIA TA DËSHTOJË POLICINË E KOSOVËS?
Shkruan: Hisen Berisha
Gjatë menaxhimit të UNMIK-ut, Policia furnizohej dhe kishte mbështetje institucionale.
Ndërsa sot, pas kaq shumë vitesh shtetësi, përballemi me një realitet shqetësues:
– Pa uniforma të mjaftueshme!
– Pa automjete funksionale!
– Pa printerë dhe pajisje bazike të administratës!
– Pa sigurim të duhur!
– Pa paga dinjitoze!
– Pa personel të graduar!
– Pa trajnime të mjaftueshme!
– Pa kushte të përshtatshme pune dhe shërbimi!
– Pa, Pa, Pa…
Skandali bëhet edhe më i rëndë kur policët e sapodiplomuar mbesin pa u promovuar për shkak të mungesës së uniformave!
Kjo nuk guxon të ndodhë në institucionet e uniformuara, ku gjithçka planifikohet në proces dhe çdo detyrë dihet me kohë. Çka nevojitet, çka planifikohet, çka realizohet, çka dështon dhe pse? Për çdo proces duhet të ketë analiza, riplanifikim dhe, kur është e nevojshme, edhe Plan B.
Nuk mjafton dorëheqja e Kryepolicit.
Duhet operuar brenda trinomit: transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi.
Për arritjet merita, për dështimin përgjegjësi në çdo nivel hierarkik dhe kumulativ politik.
–
Policia nuk mund të kryejë misionin e saj vetëm me sakrificën dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë.
Policia dhe ushtria nuk mund të funksionojnë me improvizime. Uniforma, pajisjet, trajnimet dhe kapacitetet operative janë pjesë e domosdoshme e misionit të tyre.
Kur një shtet nuk arrin t’ua sigurojë as uniformat policëve dhe ushtarëve, kemi të bëjmë me dështim të rëndë institucional, por në rend të parë me sabotim të shtetit.
Ku mbeti buxheti i rritur i kryemashtruesit Kurti?
Ku janë miliardat e premtuara për ushtrinë dhe Policinë?
Si është e mundur që, për më shumë se gjashtë vite, këto dy institucione të mbeten pa uniforma, këpucë, çizme e pajisje të domosdoshme?
Ku qëndrojmë me përmbushjen e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, kur afati dhjetëvjeçar po përfundon më 2028?
A po i lexon kjo klasë politike, dhe jo vetëm, pasojat e ndërprerjes së Komunikimit Strategjik me SHBA-në?
Përgjegjësia godet në rend të parë Qeverinë, ministritë e linjës dhe, përfundimisht, kryemashtruesin Kurti, si Kryeqeveritar.
Më mirë do të ishte që paratë e shpenzuara për populizëm elektoral, si ato 15 a 20 euro të shpërndara për polisa sigurimi në kufi, gjoja për mërgimtarët që realisht nuk i kanë nevojë, rreth 5 milionë euro, të investoheshin në uniformat e policëve dhe të mos ndodhte ky skandal shtetëror.
Përgjegjësia duhet kërkuar drejtpërdrejt në Kryeministri – te Kryeministri.
Ky skandal nuk mund të shihet i shkëputur nga zhvillimet e tjera në misionin e dezorganizimit kushtetues dhe defunksionalizimit politik e institucional të shtetit.
Po përfitohet mbi fatkeqësinë e qytetarëve dhe të institucioneve të shtetit, duke i përdorur politikisht për të imponuar ndryshime në strukturat drejtuese, komanduese dhe hetuese të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave.
Në vend të zbardhjes së rasteve dhe zbatimit të përgjegjësisë institucionale, po zbatohen skenarë për kapjen e mekanizmave të sigurisë dhe drejtësisë, nga niveli qendror deri te ai lokal.
Qëllimi nuk duket të jetë reformimi, por zhbërja e funksionalitetit të strukturave ekzistuese. Në kuadër të Policisë, objektiv janë njësia elitare FIT, ndërsa po hapet rruga për një model të ri kontrolli policor, siç është planifikimi i një xhandarmërie të tipit që e ka Serbia, të varur drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm.
Ky është modeli i qeverisjes Kurti, pra, të përfitohet politikisht edhe nga fatkeqësitë, të përdorët çdo krizë për të zhvendosur përgjegjësinë dhe, ndërkohë, të dobësohen institucionet që duhet ta garantojnë sigurinë e shtetit.
Policia dhe ushtria nuk janë pronë e pushtetit.
Janë institucione të shtetit dhe të qytetarëve.
Dobësimi i tyre është cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së Kosovës.



