Protestat për Arlinda Zekajn, RrGGK dënon fushatën denigruese ndaj aktivistes Molliqaj
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka reaguar duke e dënuar ashpër, siç ka thënë, fushatën denigruese, gjuhën fyese dhe urrejtjenxitëse në rrjetet sociale ndaj Leonida Molliqajt, Drejtore Ekzekutive e QIKA-s dhe anëtare e Bordit Këshillëdhënës të RrGGK-së.
Në reagim thuhet se kjo fushatë ndaj Molliqajt po bëhet për shkak të angazhimit të saj në protestat e organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe qëndrimeve të shprehura gjatë paraqitjeve të saj publike.
RrGGK-ja e konsideron të papranueshme përpjekjen për ta politizuar dhe diskredituar angazhimin e saj feminist dhe qytetar, duke i atribuuar motive politike ushtrimit të së drejtës për protestë dhe kërkimit të përgjegjësisë institucionale.
Në reagimin e këtij rrjeti thuhet se aktivizmi për të drejtat e grave, kundërshtimi i dhunës me bazë gjinore dhe kërkesa për drejtësi nuk duhet të shndërrohen në shkas për sulme personale, fyerje dhe nxitje të urrejtjes.
“Është veçanërisht shqetësuese që, në një kohë kur po protestohet kundër dhunës ndaj grave dhe dështimeve institucionale për t’i mbrojtur ato, hapësira publike po përdoret për të sulmuar pikërisht gratë që po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Fushata të tilla denigruese shërbejnë për frikësimin, heshtjen dhe dekurajimin e grave aktiviste nga pjesëmarrja në debatin publik, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemi që ato po përpiqen ta adresojnë.”, thuhet në reagim.
RrGGK-ja shpreh solidaritetin e plotë me Leonida Molliqajn dhe të gjitha gratë që përballen me sulme për shkak të angazhimit të tyre publik.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga gjuha fyese dhe denigruese dhe të respektojnë të drejtën e secilit për të protestuar, për t’u shprehur lirshëm dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet. Gratë që e ngritin zërin kundër dhunës nuk duhet të përballen me një formë tjetër dhune për shkak se refuzojnë të heshtin.”, thuhet tutje.



