Bajrami kritikon qeverinë për humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke ia atribuar asaj përgjegjësinë për mosrealizimin e reformave të kërkuara.
Bajrami ka thënë se Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave, afati për të cilët ishte qershori i këtij viti.
Sipas saj, kjo ka bërë që vendi të humbasë 43.8 milionë euro nga fondet e parapara përmes Planit të Rritjes të BE-së.
Ajo ka rikujtuar edhe humbjen e 613.4 milionë eurove gjatë mandatit të kaluar, për të cilat ka fajësuar Qeverinë, duke përmendur edhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“43.8 milionë euro Kosova ka humbur nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave për të cilat afati i fundit ishte qershori i këtij viti. Mos harroni se në mandatin e kaluar Kosova ka humbur 613.4 milionë euro, sepse falë Qeverisë për 960 ditë kemi qenë nën masat ndëshkuese të BE-së”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.



