Xhaka i zhgënjyer pas humbjes së Sunderlandit: Është e vështirë të vazhdohet kështu, duhet të ndryshojmë diçka

02 nëntor 2026 | 11:13

Granit Xhaka nuk e ka fshehur zhgënjimin pas një tjetër humbjeje të Sunderlandit në Ligën Premier. Këtë herë, skuadra e tij është mposhtur me rezultat 3:1 në udhëtim nga Coventry City, ndërsa kapiteni shqiptar ka pranuar se nuk e di se çfarë duhet të ndryshojë për ta nxjerrë ekipin nga kriza.

Xhaka ka qenë tejet i zhgënjyer pas ndeshjes, e cila e ka lënë Sunderlandin në fund të tabelës së Ligës Premier, me vetëm pesë pikë të grumbulluara pas nëntë xhirove.

Mesfushori ka theksuar se skuadra kishte udhëtuar me optimizëm dhe ishte përgatitur mirë gjatë javës, por nuk arriti ta zbatonte në fushë atë që ishte diskutuar në dhomat e zhveshjes.

“Është e vështirë, një ndjenjë krejtësisht ndryshe. Është e vështirë për t’u pranuar. Erdhëm këtu me shumë shpresë dhe u përgatitëm shumë mirë gjatë javës, por nëse nuk i bëni gjërat për të cilat përgatitemi dhe për të cilat flasim në dhomat e zhveshjes, nuk ka asnjë mundësi për të fituar ndonjë ndeshje”, ka deklaruar Xhaka.

Sunderlandi kishte regjistruar një fitore ndaj Brentfordit në Carabao Cup gjatë javës, por nuk arriti ta bartte atë formë edhe në kampionat.

“Po, por kjo nuk mjafton. Jo në këtë ligë. Nuk është e mundur që një ditë të jesh mirë dhe ditën tjetër keq. Është e vështirë të vazhdohet kështu, sepse duhet të ndryshojmë diçka. Nuk e di çfarë të ndryshoj”, është shprehur ai.

Xhaka ka kritikuar gabimet e shumta të skuadrës, duke theksuar se lojtarët po dështojnë edhe në veprimet më elementare.

“Ka shumë gabime nga ana jonë, pasime të thjeshta, duele të thjeshta që nuk po i fitojmë. Nëse nuk i ke fillimisht gjërat elementare, harroji të tjerat. Ndjenja është e tmerrshme në këtë moment”, ka shtuar mesfushori.

Në vazhdim, skuadrën e drejtuar nga Regis Le Bris e presin dy ndeshje të rëndësishme në shtëpi: fillimisht ndaj Dinamo Zagrebit në Ligën e Evropës dhe më pas kundër Chelseat në kampionat.

Xhaka e ka pranuar se i kupton frustrimet e tifozëve, por u ka bërë thirrje të gjithëve të qëndrojnë të bashkuar në këtë periudhë të vështirë. Ai ka shprehur bindjen se Sunderlandi ka potencialin për t’u rikthyer.

“Është e vështirë edhe për tifozët. E di që janë të frustruar, por është e njëjta gjë edhe për ne. Duhet të qëndrojmë të bashkuar deri në fund. Kjo nuk është diçka e panjohur për këtë klub. Ka një kuptim të madh për ne dhe për ta që të qëndrojmë së bashku dhe të besojmë te njëri-tjetri. Kur gjithçka shkon mirë, është e lehtë ta mbështesësh dikë.

“Kur gjërat shkojnë keq, atëherë shihet se kush qëndron pranë teje dhe kush jo. Na duhen të gjithë: vetja jonë, bashkëlojtarët, stafi dhe tifozët. Jam i bindur dhe besoj shumë se mund të rikthehemi, por duhet t’i ndalim gabimet që po i bëjmë në këtë moment”, ka përfunduar Xhaka.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për rritjen…