Hoxhaj: Rezultatet e PISA-s shpërfaqin dobësitë serioze të sistemit arsimor
Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka organizuar diskutimin me temën “Sfidat dhe prioritetet në Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”, ku janë trajtuar problemet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në vend.
Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ai ka përmendur si çështje të rëndësishme edhe vlerësimin e nxënësve, rezultatet e PISA-s, tekstet shkollore dhe ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.
Hoxhaj ka theksuar se cilësia e arsimit varet në masë të madhe nga përgatitja, aftësitë dhe puna e mësimdhënësve në klasë.
Ai ka vlerësuar se rezultatet e PISA-s, si vlerësim i jashtëm ndërkombëtar, i nxjerrin në pah dobësitë serioze të sistemit arsimor.
“Debati i gjerë është çështja e PISA-s dhe e rezultateve të PISA-s, jo pse është vlerësim i jashtëm ndërkombëtar në momente të caktuara, por sepse i shpërfaq në mënyrë serioze dobësitë e fushës së arsimit. Sikurse që çështja e teksteve shkollore është një temë permanente këtu, prej fillimit e deri te tema ndërlidhëse e arsimit me tregun e punës, dhe se sa shkolla përgatisin të rinjtë dhe të rejat për tregun e punës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, duke folur për prioritetet e strategjisë së re të arsimit, ka thënë se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë njëra nga katër shtyllat kryesore të saj.
Ai ka theksuar se edukimi në këtë fazë është i rëndësishëm si për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve, ashtu edhe për ngritjen e cilësisë së arsimit në nivelet e mëvonshme.
“Ky edukim vlerësohet si jashtëzakonisht i suksesshëm jo vetëm për zhvillimin e aftësive socio-emocionale të fëmijëve, por edhe për ngritjen e cilësisë në shkolla. Studimet tregojnë se nxënësit të cilët kanë ndjekur çerdhet në fëmijërinë e hershme performojnë vazhdimisht më mirë se fëmijët të cilët nuk e kanë pasur këtë mundësi”, ka theksuar Kryeziu.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit synon të zgjerojë rrjetin e çerdheve publike, krahas formave të tjera të organizimit të edukimit në fëmijërinë e hershme.



