Haziri: Për rastin e Arlinda Zekajt, përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinetin qeveritar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Haziri e ka cilësuar jashtëzakonisht të dhimbshme situatën dhe zhvillimet pas këtij rasti, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohet përgjegjësia institucionale.
Sipas tij, për dështimet e politikës po sakrifikohet Policia e Kosovës, të cilën e ka vlerësuar si institucion me kredibilitet dhe besueshmëri.
“Sa i përket zhvillimeve të brendshme, është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo çka po ndodh. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, sikurse është edhe veprimi politik. Tre drejtorë të policisë po marrin përgjegjësi publike dhe morale me e shpëtu politikën. Për dështimet e politikës sakrifikohet institucioni, e cila është policia që ka kredibilitet dhe besueshmëri. Ata kanë bërë suspendime, prokuroria, por përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinet qeveritar. Akti i dorëheqjes është moral”, ka deklaruar Haziri.
Haziri është deklaruar edhe për takimin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph, duke vënë në pah rëndësinë e Gjermanisë për Kosovën dhe procesin e integrimit evropian.
Ai ka thënë se Gjermania, për shkak të peshës politike dhe rolit që ka në Evropë, mbetet një nga shtetet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga pesha, rëndësia dhe roli i shtetit gjerman, është lokomotiva e Evropës sot, i integrimeve evropiane. Për LDK-në nuk është vetëm aspiratë, është mision integrimi në BE dhe NATO, Gjermania ka një rol kritik”, ka thënë Haziri.
Duke folur për Këshillin e Evropës, Haziri ka shprehur shqetësimin për mosplotësimin e tri kushteve nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ai e ka cilësuar të dhimbshëm mosmiratimin e raportit të Asamblesë Parlamentare nga Këshilli i Ministrave.
“Në anën tjetër, Këshilli i Evropës mbetet në tre kushte që Qeveria nuk i ka plotësuar ende dhe për herë të parë ka ndodhur që Këshilli i Ministrave nuk e miraton raportin e Asamblesë Parlamentare, kjo është e dhimbshme”, ka deklaruar Haziri. /EO



