Deri këtu qenka katandisur Policia, kërkojnë kapele hua për kadetët: Mesazhet që zbulojnë gjendjen

02 nëntor 2026 | 20:42

Policëve po u kërkohet t’i huazojnë kapelat për diplomimin e kadetëve të rinj, ndërsa në hierarkinë e Policisë së Kosovës po bëhen ndryshime të mëdha.

Në njërën anë, mungojnë pjesë të uniformave. Në tjetrën, emërimet në krye të drejtorive të ndjeshme po vazhdojnë, me emra që raportohen të jenë të afërt me ministrin Xhelal Sveçla.

Sipas një raportimi të VOX Kosovës, zyrtarëve policorë u është kërkuar t’i huazojnë kapelat për gjeneratën e 63-të, deri në ceremoninë e diplomimit.


Raportimi pason shtyrjen e ceremonisë së kësaj gjenerate, e paraparë për 30 tetor, për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme.

Kadetët ishin njoftuar për shtyrjen e diplomimit deri më 6 nëntor.

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, më 27 prill kishte filluar trajnimi i 412 kadetëve të gjeneratës së 63-të, sipas njoftimit zyrtar.

Pas muajsh përgatitjesh, përfundimi i kësaj etape po shoqërohet me probleme furnizimi, për të cilat ende mungon një shpjegim i plotë institucional.

Madje, mungesa e uniformave nuk është problem i panjohur. Sindikata e Policisë e ka ngritur prej kohësh çështjen e furnizimeve të parregullta.

Më 9 tetor, kryetari i saj, Avdi Hoti, deklaroi:

“Uniforma nuk është shpërndarë që nga viti 2021, ka pas shpërndarje vetëm aty ku ka pasur nevojë, por uniformë të rregullt, me shpërnda qysh është me rregullore deri më tani nuk ka pasur”.

Pikërisht kur këto vështirësi prekin policët e rinj, një varg lëvizjesh po ndryshon edhe drejtimin e institucionit.

Më 30 tetor, Gazmend Hoxha dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm. Kryeministri Albin Kurti e pranoi kërkesën e tij.

Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në krye të Policisë, si ushtrues detyre, u caktua Fehmi Hoti.

Ndryshimet nuk u ndalën aty. Më 2 nëntor, Veton Elshani konfirmoi se do ta drejtojë Departamentin Kufitar, ku deri tani kishte qenë Fehmi Xhata.

Ky i fundit pritet ta marrë drejtimin e hetimeve, një nga sektorët më të ndjeshëm të Policisë së Kosovës.

Xhata sipas burimeve të Gazetës Nacionale është “njeriu i Dejona Mihalit”, zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithashtu, shkarkime dhe ndryshime më të gjera në strukturat udhëheqëse, priten në policinë e Kosovës, ndërsa ende priten hollësi zyrtare për secilin vendim.

Këto zhvillime ndodhin pas kritikave të rënda ndaj Policisë për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e vrarë në Pejë më 25 tetor.

Inspektorati Policor konstatoi lëshime në trajtimin e rastit. Njëmbëdhjetë zyrtarë policorë u pezulluan, ndërsa dorëheqja e Hoxhës erdhi mes kërkesave për përgjegjësi. Nacionale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njofton se e ngarkuara me…