Prokuroria dhe Policia në Pejë diskutojnë trajtimin e rasteve të dhunës në familje

03 nëntor 2026 | 16:14

Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga zinxhiri komandues i Policisë në Pejë mbikëqyrje më të madhe ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, veçanërisht atyre që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit.

Kërkesa është bërë gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, majorin Mirsad Kelmendi, shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme.

Disha-Haxhosaj ka kërkuar reagim të shpejtë, koordinim ndërmjet institucioneve dhe përfshirjen e mekanizmave përgjegjës, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes efektive për viktimat.

“U.D. e Kryeprokurores ka theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë institucional, koordinimit të veprimeve dhe përfshirjes së të gjithë mekanizmave institucionalë kompetentë. Ajo ka kërkuar që, gjatë trajtimit dhe procedimit të rasteve që përfshijnë viktimat, veçanërisht viktimat e dhunës në familje dhe të miturit, të sigurohet prania dhe përfshirja e këtyre mekanizmave, në përputhje me rolin dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe ofrimit të mbrojtjes efektive për viktimat”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.

Në fund të takimit, palët janë pajtuar për intensifikimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe në rritjen e sigurisë publike.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se në kuadër të veprimeve…