Votë nga hapësira, astronautët e NASA-s votuan me postë elektronike
Tre astronautë amerikanë, të cilët ndodhen në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), kanë marrë pjesë në zgjedhjet afatmesme amerikane duke votuar nga hapësira.
Astronauti i NASA-s, Anil Menon, bëri të ditur se ai dhe dy kolegët e tij, Luke Delaney dhe Jessica Watkins, plotësuan fletët elektronike të votimit nga stacioni hapësinor dhe ia dërguan ato në mënyrë të sigurt autoriteteve zgjedhore në Harris County, Teksas.
Menon e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe një video nga ambienti ku votoi, duke treguar kompjuterin që përdori për të plotësuar fletën e votimit.
“Po, mund të votosh edhe nga hapësira!”, shkroi astronauti, duke theksuar se të tre anëtarët amerikanë të ekuipazhit patën mundësinë të ushtronin të drejtën e tyre qytetare.
Si funksionon votimi nga hapësira?
Edhe pse ndodhen qindra kilometra mbi Tokë, astronautët mund të votojnë përmes një sistemi të posaçëm elektronik, të koordinuar nga NASA dhe autoritetet zgjedhore amerikane.
Procesi funksionon në disa hapa:
Astronautët kërkojnë paraprakisht fletën e votimit në mungesë (absentee ballot).
Fleta elektronike u dërgohet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Ata e plotësojnë atë në kompjuter dhe e dërgojnë në mënyrë të koduar drejt Tokës.
NASA e përcjell votën përmes rrjetit të komunikimit satelitor deri në Qendrën e Kontrollit në Hjuston dhe më pas te autoritetet zgjedhore përkatëse.
Sistemi garanton që fleta e votimit të jetë e aksesueshme vetëm nga astronauti dhe zyrtari përgjegjës për administrimin e saj.
Votimi nga hapësira nuk është një praktikë e re. Ai u bë i mundur në vitin 1997, kur Teksasi miratoi një ligj që u lejonte astronautëve të votonin gjatë misioneve hapësinore. Astronauti David Wolf ishte i pari amerikan që votoi nga hapësira, ndërsa ndodhej në stacionin rus Mir.
Kështu, edhe në orbitën e Tokës, larg qendrave të votimit dhe mijëra kilometra larg vendbanimit të tyre, astronautët amerikanë mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar.



