Republikanët fajësojnë Trumpin për humbjen e Senatit, presidenti hedh përgjegjësinë te kandidatët

04 nëntor 2026 | 08:13

Humbja e kontrollit të Senatit amerikan ka nxitur përplasje brenda republikanëve, me zyrtarë të fushatave që fajësojnë presidentin Donald Trump për rezultatin zgjedhor.

Sipas Associated Press, 2 zyrtarë republikanë të përfshirë në fushatat për Senatin kanë deklaruar, në kushte anonimiteti, se humbjet në Karolinën e Jugut, Ohajo dhe Teksas përbëjnë një refuzim të politikave të presidentit nga votuesit.

Ata kanë vlerësuar se pakënaqësia me politikat e Trumpit, veçanërisht lidhur me koston e jetesës, ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve të ndërmjetme.

Sipas tyre, presidenti u kishte kërkuar amerikanëve të votonin sikur ai vetë të ishte në fletëvotim, por rezultati nuk ishte ai që kishte pritur.

Ndërkohë, Trump ka refuzuar ta konsiderojë rezultatin si humbje personale.

Në një intervistë telefonike për Fox News, ai ka përgëzuar demokratët për fushatën, ndërsa përgjegjësinë për humbjet ua ka atribuuar kandidatëve republikanë.

“Nuk e shoh si goditje ndaj meje”, ka deklaruar Trump.

Presidenti amerikan ka kritikuar edhe guvernatorin republikan të Teksasit, Greg Abbott, pas humbjes së tij përballë demokrates Gina Hinojosa.

Rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit u kanë siguruar demokratëve kontrollin e Senatit, ndërsa partia po synon edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sipas AP-së, demokratët kanë paralajmëruar se do t’i përdorin kompetencat e Kongresit për të rritur mbikëqyrjen ndaj administratës Trump, përfshirë hetimet mbi veprimtarinë e zyrtarëve të lartë.

Këto zhvillime pritet të ndikojnë në raportet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit gjatë 2 viteve të mbetura të mandatit presidencial.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, ka reaguar…