El-Sayed e quan veten senator tashmë, CNN: Ende herët për ta shpallur fituesin e garës në Michigan
Abdul El-Sayed, me energjinë e tij të lartë,doli në skenë për t’i falënderuar mbështetësite tij rreth orës 1:30 të mëngjesit, sipas orës lindore të SHBA-së, ndërsa gara për Senatin në këtë shtet është ende shumë e ngushtë për ta shpallur fituesin.
Ai tha se “mezi pret t’u shërbejë” banorëve të Michiganit dhe deklaroi se republikanët u përpoqën të mbillnin përçarje duke sulmuar emrin dhe besimin e tij fetar.
“Por të gjithë e dimë se emri dhe besimi im fetar nuk janë arsyeja pse nuk keni mundësi t’i përballoni shpenzimet e karburantit,nuk janë arsyeja pse nuk keni mundësi ta përballoni blerjen e ushqimeve, dhe as arsyeja pse nuk mund të shkoni te mjeku”, tha ai.
El-Sayed theksoi qindra milionë dollarët e shpenzuar për këtë garë, të cilën republikanët e konsideronin si mundësinë e tyre më të mirë për të kaluar në ofensivë në këtë cikël zgjedhor. Pavarësisht rezultatit të kësaj gare, CNN ka parashikuar se demokratët do ta marrin kontrollin e Senatit.
Kandidati progresiv tha se hyri në garë për “të na mbrojtur të gjithëve nga politikanët që duan të na përçajnë, në vend që të mbështesin lëvizjet qëpunojnë për t’i dhënë dinjitet secilit prej nesh”.
El-Sayed gjithashtu lëshoi disa kunja ndaj Presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentit JD Vance, me të cilët kishte shkëmbyer replika të ashpra gjatë fushatës zgjedhore. Në komentet e drejtuara presidentit, ai tha: “E di që keni vështirësi ta shqiptoni emrin tim, ndaj, pasi JD të më japë betimin në janar, mund të vazhdoni thjesht të më quani senator”.
CNN nuk e ka shpallur ende fituesin e garës për Senatin në Michigan.



