Guvernatori Ismaili takon Kurti: Në fokus përgatitjet përfundimtare për aplikim në SEPA dhe reformat në sektorin financiar
Në kuadër të takimeve dhe konsultimeve me institucionet vendore dhe partnerët përkatës për finalizimin e përgatitjeve për aplikimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim pune me kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Kryeministrin për zhvillimet e fundit në sektorin financiar, treguesit e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe progresin e reformave që BQK po zbaton në kuadër të mandatit të saj, me fokus në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua progresit në procesin e aplikimit në SEPA, përfshirë përmbushjen e kritereve përkatëse dhe hapat e mbetur për dorëzimin e aplikimit formal pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC).
Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili vlerësoi miratimin e ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT), si një zhvillim të rëndësishëm për avancimin e këtij procesi.
Në takim u diskutua gjithashtu agjenda legjislative dhe rregullative që synon avancimin e reformave strukturore në sektorin financiar, përfshirë ato që ndërlidhen me angazhimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
U theksua rëndësia e koordinimit ndërinstitucional për zbatimin e këtyre reformave dhe përafrimin e mëtejshëm me legjislacionin evropian.
Në kuadër të modernizimit të sistemeve të pagesave, Guvernatori e informoi kryeministrin edhe për progresin në zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta (TIPS Clone).
U theksua se avancimi i këtij projekti, së bashku me integrimin në SEPA, do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të pagesave, uljen e kostove të transaksioneve dhe zgjerimin e mundësive për qytetarët dhe bizneset, duke mbështetur integrimin financiar dhe ekonomik të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës së reformave ligjore dhe institucionale, veçanërisht në proceset që kërkojnë angazhim dhe koordinim ndërinstitucional.
Në përfundim, u riafirmua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit në realizimin e prioriteteve strategjike për stabilitetin financiar, modernizimin e sektorit financiar dhe integrimin evropian, në respektim të plotë të mandatit dhe pavarësisë institucionale të BQK-së.



