Schuebel: Kosova të përshpejtojë reformat, BE-ja mbështet rrugën drejt integrimit

04 nëntor 2026 | 20:21

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka deklaruar se Kosova ka mundësi të përshpejtojë zbatimin e reformave, pas tejkalimit të ngërçit institucional. Ai ka theksuar se Raporti i Komisionit Evropian evidenton përparim në disa fusha, por edhe sfida në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Schuebel ia dorëzoi kryeministrit Albin Kurti Raportin për Vendin 2026, ndërsa në konferencën për media tha se funksionimi i institucioneve me mandat të plotë krijon mundësi për përparim.

“Sot situata është më ndryshe. Kemi një mandat të plotë të qeverisë dhe kjo është diçka që e mirëpresim. Kjo do të ndihmojë në forcimin e stabilitetit të institucioneve të Kosovës. Është një mundësi për të ecur më shpejt përpara dhe kemi parë një dinamikë në zbatimin e agjendës së reformave. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të avancuar këtë proces”, tha Schuebel.

Ambasadori përmendi përparimin në luftën kundër krimit të organizuar, reformat në administratën publike dhe lëvizjen e lirë të kapitalit, ndërsa theksoi nevojën për angazhim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit.

Duke folur për Dhomat e Specializuara, Schuebel theksoi rëndësinë e respektimit të mandatit të tyre.

“Mandati i Dhomave të Specializuara, që është aktualisht në fuqi, duhet respektuar, në linjë me obligimte ndërkombëtare dhe respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, tha Schuebel.

Sa i përket procesit të integrimit evropian, ambasadori deklaroi se Kosova do të trajtohet në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe shtetet kandidate për anëtarësim në BE.

Ai veçoi edhe përfshirjen e Kosovës në vlerësimin për Kapitullin 31, që lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe vlerësoi pozitivisht harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së.

Schuebel theksoi se zbatimi i obligimeve nga dialogu Kosovë–Serbi mbetet pjesë integrale e rrugës evropiane.

“BE-ja është në anën e Kosovës dhe përkrah angazhimin e saj për të punuar drejt synimit të përbashkët”, tha Schuebel, duke përmendur synimin për “Një Kosovë stabile, multietnike e prosperuese brenda BE-së”, tha Schuebel./RTK

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përveç tij arrestohen edhe disa pjesëtarë të tjerë të këtij…