Arrestohet komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste në Serbi

04 nëntor 2026 | 19:58

Përveç tij arrestohen edhe disa pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ata dyshohen për keqtrajtimin e studentëve gjatë protestave masive në Beograd.

Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste, Igor Zhmiriç, si dhe disa pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, janë arrestuar nën dyshimin për keqtrajtimin e studentëve në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë.

Urdhri për arrestim është lëshuar nga Prokuroria e Parë Themelore Publike në Beograd, nën dyshimin se në gusht të vitit të kaluar të dyshuarit kishin keqtrajtuar studenten Nikolina Sinxheliç dhe kolegët e saj në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqtrajtimit dhe torturës.

Në njoftim thuhet se të dyshuarit, më 14 gusht 2025, nga rreth orës 22:30 deri në orën 01:00 pas mesnate, në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, kanë përdorur forcë dhe kërcënime ndaj një numri personash, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha dhe vuajtje të rënda.

Sipas Ministrisë, qëllimi i veprimeve të dyshuara ishte marrja e informacioneve nga këta persona, frikësimi dhe ndëshkimi i tyre në mënyrë të paligjshme.

Studentja Nikolina Sinxheliq e kishte akuzuar shefin e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Marko Kriçak, se e kishte kërcënuar me përdhunim dhe kishte përdorur forcë të tepruar ndaj saj pas ndalimit gjatë një proteste kundër Qeverisë në Beograd, në gusht të vitit 2025.

Kriçak tashmë ndodhet në paraburgim në lidhje me rastin e një vrasjeje në një restorant në lagjen Senjak të Beogradit, si dhe për akuzat për keqtrajtim dhe torturë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shërbimi kombëtar i gjakut në Francë tha se hakerat kanë…