140 mijë euro dëm, aktakuzë ndaj tre personave për fajde në Prizren

05 nëntor 2026 | 11:10

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe F.S., (i cili gjendet në arrati), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 i KPRK-së, si dhe kundër të pandehurit H.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K. dhe F.S., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., kanë dhënë hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm jo proporcionale me shumat e huazuara.

Në këtë mënyrë, përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, të pandehurit kanë përfituar shuma të konsiderueshme pasurore, ndërsa të dëmtuarve L.S., dhe babait të tij M.S., u kanë shkaktuar dëm në shumën prej 140,000 euro.

Ndërsa, i pandehuri H.T., gjatë muajit prill 2024, në Suharekë, nga i dëmtuari M.S., e merr origjinalin e marrëveshjes së huasë, të lidhur ndërmjet B.K., dhe L.S., me pretekstin se do t’ia prezantojë B.K., mirëpo, pasi ia prezanton, e shkatërron dokumentin dhe e bën të papërdorshëm, me qëllim të pamundësimit të përdorimit të tij në procedurë penale.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri…