Haxhiu në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit: Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund

05 nëntor 2026 | 11:32

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.

“Dhjetë vjet më parë, një të shtunë pasdite, morëm lajmin e rëndë se shoku ynë, Astrit Dehari, nuk ishte më në mesin tonë. Sot, në dhjetëvjetorin e asaj dite, vizituam familjen Dehari dhe më pas, bashkë me ta dhe me shokë e shoqe aktivistë, bëmë homazhe dhe vendosëm lule te varri i tij. Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë. Sot do të ishte mjek dhe jam e bindur se do të ishte po aq pranë tyre sa ishte edhe atëherë”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Ajo ka thënë se rruga që ai zgjodhi, rruga e drejtësisë dhe e dinjitetit për popullin tonë, është rruga që vazhdojmë ta ndjekim edhe sot.

“Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit. Ne që e njohëm e kujtojmë ashtu siç ishte, me buzëqeshjen, guximin dhe idealet e tij. Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund. Lavdi jetës dhe veprës së Astritit!”, ka shkruar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Idila Beqa nga Ferizaj shpall të pavlefshme diplomën bachelor të…