Besnik Tahiri: Kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale nga pushteti për rastin e Astrit Deharit
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar drejtësi për Astrit Deharin dhe përgjegjësi institucionale për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij, në 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka thënë se Grupi Parlamentar i Aleancës kërkon nga institucionet shtetërore dhe sistemi i drejtësisë që të japin përgjigje për rastin Dehari.
Ai ka theksuar se, përveç drejtësisë, kërkohet edhe llogaridhënie nga institucionet dhe personat që kanë qenë në pushtet gjatë gjashtë viteve të fundit.
“Edhe Grupi Parlamentar i Aleancës, nga kjo foltore, në shënimin e 10-vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim, me krejt fuqinë institucionale kërkojmë nga shteti, nga sistemi i drejtësisë, drejtësi për Astritin. Sikurse që kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë prej kësaj shumice, e cila po harron se për gjashtë vjet i ka fituar mbi 50 për qind dhe nuk ka arritur të na sjellë në Kuvend një evidencë të thjeshtë, e cila së paku do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës, familjes, neve dhe juve që e keni pasur koleg, të dimë se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar Tahiri.
Deputeti i Aleancës ka kërkuar që rasti të mos politizohet, por të trajtohet përmes mekanizmave përgjegjës institucionalë.
Ai ka theksuar se kërkesa për drejtësi duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi dhe llogaridhënie për mungesën e rezultateve në zbardhjen e rastit.



