Arian Tahiri: Gjyqi ndaj katërshes së UÇK-së nuk ka të bëjë me zbardhjen e së vërtetës

05 nëntor 2026 | 13:35

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ka të bëjë me drejtësinë, por, sipas tij, me përpjekjet për të ndryshuar narrativën historike për Kosovën.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Tahiri ka thënë se kontributi dhe emrat e të akuzuarve në Hagë nuk mund të zhbëhen nga procesi gjyqësor, raporton “KosovaPress”.

“Gjyqi ndaj tyre nuk ka lidhje me drejtësinë, por me përmbysjen e historisë, nuk ka lidhje me zbardhjen e së vërtetës, por me ndërtimin e një narrative të rreme për Kosovën. Është një inxhinierim politik që po shndërron rezistencën tonë në faj. Atyre në Hagë mund t’ua vrasin kohën, por jo kontributin dhe as emrat. Emrat e tyre, historia e tyre dhe e vërteta që përfaqësojnë është shumë më e madhe se ajo gjykatë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka vlerësuar se çështja e Hagës i tejkalon dallimet partiake dhe politike, duke e cilësuar atë si një betejë kombëtare, shtetërore dhe historike. Gjithashtu, u ka drejtuar disa pyetje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimit Evropian.

“Beteja në Hagë i tejkalon partitë, politikat ditore dhe dallimet tona. Duhet të jemi në betejë bashkërisht, sepse është betejë kombëtare, shtetërore dhe historike. Sot, kur po hyjmë në vitin e shtatë të kësaj pritjeje, nga ky Kuvend duhet të kemi një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht për BE-në. Kosova ju besoi kur kërkonte shpëtim nga regjimi i Millosheviqit, kur kërkonte liri. Sot pyesim: ku janë standardet e barabarta, ku është zëri i Evropës? A është kjo Evropa e vlerave që na është premtuar? Nuk po ju kërkojmë të mbani anën e askujt, por anën e drejtësisë, të mbroni drejtësinë nga çdo ndikim”, është shprehur Tahiri.

Më 4 dhe 5 nëntor 2020 nisi procesi i arrestimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët më pas u transferuan në Hagë. Brenda kësaj periudhe u arrestuan Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Që nga ajo kohë, ata janë përballur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismet Sylejmani 31 vjet më parë, saktësisht më 4 Nëntor…